Vizita e parë e një presidenti azer në Tiranë

Në vizitën e parë zyrtare në Shqipëri, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev është pritur me një ceremoni zyrtare në Pallatin e Brigadave nga homologu i tij shqiptar, Bajram Begaj.

Shqipëria synon të shtojë bashkëpunimin me Azerbajxhanin në sektorë jetikë si energjia, infrastruktura dhe turizmi si dhe të kthehet në një vend përfitues të transmetimit të gazit.

Kjo u theksua në takimin Begaj-Aliev, ndërsa diskutimet u fokusuan veçanërisht në nevojën për identifikimin e fushave të interesit të përbashkët dhe rrugët konkrete për thellimin e bashkëpunimit.

Në takim u diskutua edhe për shtimin e vëllimit të furnizimit me gaz që kalon përmes Shqipërisë, gjë që do t’i kontribuonte sigurisë energjitike të Evropës në këto kohëra të trazuara lufte.

“Gazsjellësi Adriatiko-Jonian, përmes TAP-it, lidh Shqipërinë me Malin e Zi, Kroacinë e Bosnje-Hercegovinën duke e kthyer vendin tonë në një shpërndarës dhe diversifikues rajonal të gazit me rëndësi gjeostrategjike”, tha Begaj.

Duke e cilësuar të suksesshëm bashkëpunimin mes dy vendeve tona përmes projektit të TAP-it, kreu i shtetit tha se kjo hap mundësi të reja bashkëpunimi, përfshirë procesin e gazifikimit të Shqipërisë.

Gjithashtu gjatë takimit u diskutua mbi propozimin e palës azere për hapjen e ambasadës në Shqipëri.

Përsa i përket rajonit tonë, Begaj i shprehu homologut të tij azer qëndrimin sipas të cilit “stabiliteti dhe përparimi demokratik i Kosovës është i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por për stabilitetin dhe përparimin e gjithë rajonit.”./ (15 nëntor 2022)

 Azerbajxhani mbështetje ndërtimit të infrastrukturës së gazit

Aliyev deklaroi në konferencën e përbashkët me Begaj se “Azerbajxhani është i gatshëm të marrë pjesë si investues në ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Shqipëri.”

Ai u shpreh se Shqipëria dhe Azerbajxhani kanë një bashkëpunim të suksesshëm në fushën e furnizimit me gaz.

“Vizita ime dëshmon se dialogu politik ka horizonte dhe një dinamikë shumë të mirë,” tha Aliyev.

Për sa i përket bashkëpunimit edhe në sektorë të tjetër, presidenti azer nënvizoi rëndësinë e takimit të parë të grupit të përbashkët të punës për ekonominë dhe  industrinë.

“Mendoj që ka mundësi shumë të mira edhe në fusha të tjera dhe ndërveprimi midis kompanive shqiptare dhe azere në turizëm, në bujqësi dhe teknologjitë moderne,” theksoi Aliyev.

Ai shtoi se “memorandumi i bashkëpunimit, i nënshkruar me Bashkimin Europian në korrik, parashikon dyfishimin e furnizimit të Europës me gaz deri në 2027.”./ (15 nëntor 2022)

Gazifikim i vendit duke nisur nga Korça

Presidenti azer u prit edhe nga kryeministri Edi Rama.

Ata biseduan për projekte të përbashkëta në fushën e energjisë.

Rama theksoi se me presidentin Aliyev kishin diskutuar për nisjen e programit të gazifikimit, me financim azer.

“Ky program do të nisë me një bashki që do të përcaktohet në një nga pikëtakimet me TAP-in për ndërtimin edhe të një rafinerie ultramoderne, e cila do t’i japë fund varësisë nga nafta e importit,” tha Rama.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cilësoi vizitën presidentit Aliyev si një gur kilometrik në marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.

Balluku bëri me dije se me presidentin Aliyev kishin diskutuar dhe mirëpritur ekspertizën e tyre në sektorin e gazit, jo vetëm për projektin e madh të Vlorës, por edhe për gazifikimin e vendit duke nisur nga qyteti i Korçës, 150 kilometra në juglindje të Tiranës.

Ministrja Balluku bëri të ditur se shumë shpejt do të bëhen publike detaje për planet e së ardhmes së afërt me “Socar”, një nga kompanitë e ekselencës botërore në fushën e gazit./ (15 nëntor 2022)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.