70% e legjislacionit të BE-së zbatohet në nivel lokal dhe bashkitë shqiptare janë aktorët kryesorë në afrimin e BE-së me qytetarët shqiptarë.
Në Tiranë u zhvillua ceremonia e mbylljes së programit të financuar nga BE, Bashkitë për Evropën. Ceremonia mblodhi së bashku ministra, kryetarë bashkish dhe përfaqësues nga Njësitë e Integrimit nëpër bashki.
Tashmë në kuadër të projektit, janë themeluar me sukses njësitë e integrimit evropian në të 61 bashkitë e vendit, sikundër edhe janë trajnuar 2200 zyrtarë lokalë mbi programet, politikat dhe menaxhimin e projekteve të BE-së.
“Demokracia fillon në nivel lokal. Ndërsa ritmi i negociatave rritet dhe po diskutohen afate ambicioze, është thelbësore të angazhohemi me komunitetet lokale dhe të rritim njohuritë dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh gjatë ceremonisë, ambasadori i BE-së Silvio Gonzato.
Mbështetja e vazhdueshme e BE-së për qeveritë vendore duket nga buxheti i rritur ndjeshëm prej 10 milionë € për fazën tjetër të programit “BE për Bashkitë”, që do të fillojë në vitin 2025, duke ofruar grante shtesë për përfitimin e bashkive dhe qytetarëve.
Programi “BE për Bashkitë”, i mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian, ndikoi drejtpërdrejtë në 19 bashki përmes ndërhyrjeve në infrastrukturë, përmirësimeve të shërbimeve dhe nismave për ngritjen e kapaciteteve në nivel lokal. Me anë të një mbështetje financiare të konsiderueshme prej 1.7 milionë euro, u rindërtuan 24 ndërtesa publike, u krijuan ose përmirësuan 68 shërbimeve publike me përfitues mbi 49,332 qytetarë, përfshirë 32,993 të rinj. (25 nëntor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.