Polonia e konsideron Shqipërinë një aleat të çmuar, ndaj për këtë arsye, vizitën e parë ministri i Jashtëm polak Radoslav Sikorski e bëri në Tiranë, përpara marrjes së presidencës së radhës të Bashkimit Evropian.

Në një intervistë për Radiotelevizionin Shqiptar ai tregoi edhe mesazhin e qartë dhe pritshmëritë nga Shqipëria në raport me integrimin.

“Jam në Shqipëri sepse ne vlerësojmë qartësinë morale të Shqipërisë në raport me agresionin rus në Ukrainë. Ne vlerësojmë sinkronizimin e politikës së jashtme shqiptare me atë të Bashkimit Evropian, por gjithashtu edhe përpjekjet e mëdha që Shqipëria ka bërë në rrugën e integrimit evropian. Si udhëheqës i presidencës së ardhshme të Bashkimit Evropian doja ta shihja me sytë e mi progresin e bërë nga Shqipëria, por edhe t’ju thosha se ne shpresojmë që të hapim një tjetër grup-kapitull me ju gjatë presidencës sonë”, u shpreh ministri Sikorski.

Sikorski shtoi se “ka mundësi bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve”.

“Ju jeni një aleat i mirë yni në NATO, ju jeni tani vendi lider i procesit të anëtarësimit. Disa vite më parë ishit në fund të rreshtit, ndërsa tani jeni në ballë të tij”, shtoi ai.

Sikorski, një ish-gazetar, ka mbajtur më parë detyrën e ministrit të Mbrojtjes të Polonisë dhe aktualisht është kryediplomat i saj dhe një nga zërat më të fortë kundër agresionit rus në Ukrainë.

“Ukraina dhe Rusia janë dy vende fqinj të Polonisë, por jemi i vetmi vend me një specifikë të tillë. Ne kemi ristartuar prodhimet tona ushtarake dhe të gjitha vendet evropiane duhet të bëjnë të njëjtën gjë, dhe me sa kuptova edhe Shqipëria po e bën një gjë të tillë, pra edhe një herë ne jemi aleatë”, tha Sikorski./ (24 dhjetor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.