Modernizim i Forcave të Armatosura Shqiptare

Në prani të kryeministrit, Edi Rama, ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, përfaqësuesve të firmës turke “Baykar Technologgies”, ambasadorit të Republikës së Turqisë, Tayyar Kağan Atay u nënshkrua të martën në Tiranë marrëveshja për sigurimin e avionëve luftarakë pa pilotë “Bayraktar”.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje për blerjen e flotës së avionëve ushtarakë pa pilot (UAV) Bayraktar është produkt i Partneritetit Strategjik me Republikën e Turqisë, në kuadër të modernizimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, si anëtare e NATO-s.

Një nga projektet e modernizimit është pajisja me sistemin e avionëve pa pilot të armatosur.

Kompletimi me këtë sistem ka rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare dhe atë të Aleancës si dhe për respektimin e detyrimeve që rrjedhin nga Strategjia e Sigurisë Kombëtare dhe Strategjia Ushtarake, Objektivat e Kapaciteteve të NATO-s, të deklaruara.

Dronët “Bayraktar”, përfaqësojnë teknologjinë më të lartë të fluturimeve për misione ushtarake, policore dhe civile dhe do të vihen në funksion të sigurisë kombëtare, të luftës kundër krimit e kultivimit të paligjshëm të hashashit, të emergjencave civile, mbrojtjes së territorit dhe mbledhjes së informacioneve gjeohapësinore.

Firma “Baykar Technologies” është e specializuar në hartimin e teknologjive transformuese në fushën e mbrojtjes dhe aviacionit./ (20 dhjetor)

Kontrolle në territor dhe parandalim i fenomeneve të paligjshme

Rama tha në ceremoninë e firmosjes së marrëveshjes se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka kontribut thelbësor në këtë proces.

“Jemi shumë krenare që së bashku me Turqinë dhe presidentin Erdogan të jemi nga ana e duhur, të rreshtuar në aleancën më të madhe ushtarake, atë të  NATO-s dhe të jemi të rreshtuar në një partneritet mjaft strategjik midis nesh dhe Turqisë”, nënvizoi kryeministri.

Sipas tij, “me këtë marrëveshje jo vetëm po sjellim në Shqipëri teknologjinë më të mirë në këtë fushë, por sjellim një fushë të re njohurish”.

Gjithashtu Rama bëri me dije se “në kuadër të kësaj marrëveshjeje më shumë se 30 persona do të trajtohen nga kompania Baykar për të marrë përsipër funksionimin e qendrës së kontrollit që do të jetë objekti i teknologjisë më të lartë në bazën ajrore të Kuçovës.

Ministri i Mbrojtjes,  Niko Peleshi theksoi se shfrytëzimi i këtyre aseteve në vendin tonë do të rrisë cilësisht kapacitetet e Forcave të Armatosura dhe strukturave të Emergjencave Civile në drejtim të kontrollit të territorit dhe për të parandaluar fenomenet e paligjshme.

Peleshi ka theksuar se kompletimi me këtë sistem ka rëndësi të veçantë për sigurinë tonë kombëtare dhe atë të Aleancës, si dhe për respektimin e detyrimeve që rrjedhin nga Strategjia e Sigurisë Kombëtare, Strategjia Ushtarake dhe objektivat e Kapaciteteve të NATO-s.

Ministri ka shpjeguar se krijimi i kapaciteteve kombëtare shumëpërdorimshe dhe modulare për zbulim, vëzhgim dhe rikonicion më të mirë, në mbështetje ajrore te operacioneve të FARSH dhe gjatë operacioneve të emergjencave civile dhe operacioneve në ndihmë të komunitetit, do të jenë disa prej objektivave që do të arrihen me sigurimin e këtyre aseteve./ (20 dhjetor)

Turqia dhuron servera dhe pajisje të ruajtjes së të dhënave për policinë shqiptare

Policia turke i ka dhuruar policisë shqiptare një donacion që përfshin servera dhe pajisje për integrimin dhe ruajtjen e të dhënave të disa prej sistemeve të Policisë së Shtetit, që u dëmtuan për shkak të sulmit kibernetik.

Drejtori i përgjithshëm i policisë turke Mehmet Aktaş, së bashku me delegacionin që e shoqëronte u takua me drejtorin e përgjithshëm të policisë shqiptare, Muhamet Rrumbullaku dhe theksuan rëndësinë e forcimit të  bashkëpunimit dhe ndërtimin e urave të reja në fushat me interes të përbashkët. 

Të dy drejtorët e përgjithshëm vlerësuan marrëdhëniet mes dy policive, shkëmbimin e informacioneve për grupe dhe persona me aktivitet kriminal në fushën e krimit të organizuar, si dhe zhvillimin e operacioneve të përbashkëta për kapjen e personave të shumëkërkuar.

Donacioni i dhuruar nga policia turke vjen pas shumë donacioneve të tjera të akorduara për Policinë e Shtetit, donacione që përfshijnë automjete, pajisje logjistike dhe uniforma, kryesisht për Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë si dhe në shumë trajnime e module arsimore të ofruara nga policia turke për policinë shqiptare./ (21 dhjetor)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.