Shqipëria tashmë ndodhet në procesin e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian dhe institucionet e kanë vendosur prioritet në axhendën e tyre.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato pati një takim me kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani. Palët diskutuan në takim prioritetet dhe sfidat e Këshillit në kuadrin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht standardet për Kapitullin 23, që mbulon gjithashtu gjyqësorin dhe të drejtat themelore.

“Një sistem gjyqësor efektiv, i përgjegjshëm dhe i pavarur mbetet kyç për të ardhmen e vendit në BE”, u shpreh ambasadori Gonzato në një postim në rrjetet sociale pas këtij takimi.

Po ashtu, ai informoi se e përgëzoi KLP-në për përpjekjet e tyre për të rritur cilësinë në dhënien e drejtësisë për qytetarët shqiptarë dhe njëkohësisht kërkoi dyfishimin e këtyre përpjekjeve.

“BE-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur Këshillin e Lartë të Prokurorisë në përditësimin e praktikave në përputhje me reformën e vitit 2016 dhe standardet evropiane, gjithashtu promovimin e koordinimit të ngushtë midis të gjitha institucioneve të drejtësisë”, u shpreh ambasadori i BE-së Silvio Gonzato. (13 janar)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.