Brukseli – Integrimi në Bashkimin Evropian duhet të jetë një proces ku faktori përcaktues do të jenë arritjet, dhe jo çështjet bilaterale, sepse ne nuk mund të pranojmë më ultimatume dhe për ne është i papranueshëm parimi “ata janë atje, dhe ju jeni jashtë”.
Këtë e tha kryeministri Hristijan Mickoski nga Brukseli, ku dje qëndroi për një vizitë pune, i shoqëruar nga ministrat për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme Timço Mucunski dhe për Çështje Evropiane Orhan Murtezani. Mickoski së bashku me liderët e pesë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor mori pjesë në një drekë pune që u organizua nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kishte takime edhe me presidentin e Këshillit të BE, Charles Michel, me komisionerin evropian për zgjerimin dhe politikën fqinjësore Oliver Varhelyi dhe me kreun e Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR), Gert Jan Koopman.
Mickoski vuri në dukje se në këto takime është biseduar për perspektivën evropiane të rajonit dhe të shtetit tonë, duke theksuar që ne mbetemi të fokusuar për të propozuar zgjidhje për sfidat. Kryeministri tha se pothuajse dy dekada e gjysmë pasi filloi rruga drejt anëtarësimit në BE, vendi ynë është viktimë e problemeve bilaterale, përkatësisht e bilaterizimit të procesit të pranimit.
– Për shkak të çështjeve bilaterale, për shkak të çështjeve që lidhen me mesjetën, ne nuk mund të zhvillohemi si shtet për shekullin e 21-të, e lëre më të flasim për diçka më shumë. Pra, edhe një herë theksova që nuk mund të pranojmë më ultimatume dhe parimin ata janë atje, dhe ju jeni jashtë dhe nëse doni të jeni atje, duhet ta pranoni këtë… më falni, por ne nuk mund ta pranojmë këtë, tha Mickoski.
Ai theksoi se ne ishim të poshtëruar shumë herë edhe pse në emër të vlerave evropiane dhe dëshirës për të qenë pjesë e familjes evropiane ndryshuam flamurin, kartëmonedhat, disa herë ndryshuam Kushtetutën dhe ndryshuam emrin, për të përfunduar me një ultimatum. – Këto nuk janë ato vlera evropiane në të cilat gjenerata ime u dashurua. Unë jam i gatshëm të bisedoj me gjithkënd, derisa të gjejmë një rrugë të vërtetë, e cila këtë herë nuk do të jetë poshtëruese. Të na lejojnë të forcojmë institucionet dhe të pasurojmë kapacitetet tona si shtet, kjo është ajo që kërkoj. A është shumë? Unë mendoj se nuk është shumë, tha Mickoski.
Kryeministri tha gjithashtu që rajoni dhe shteti janë të lodhur nga mbajtja në anë dhe nga pengesat që janë bilaterale, dhe që nuk janë pjesë e kritereve objektive për pranimin në Bashkim, prandaj duhet të bëhen përpjekje më të mëdha për të sjellë besim dhe kredibilitet në të gjithë procesin e pranimit. (20 shtator)