Shkupi – Bullgaria gjithmonë ka qenë e hapur për dialog me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe pres që ky dialog të kontribuojë në afrimin tonë kulturor, por edhe të nxisë bashkëpunimin ekonomik. Ne presim që Maqedonia e Veriut të përmbushë të gjitha detyrimet e saj ndaj nesh dhe ndaj Bashkimit Evropian, tha sot presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, para takimit me presidenten e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska Davkova, e cila është në vizitë në Bullgari.
Sipas Radevit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ende nuk e ka lënë retorikën zgjedhore.
– Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ende nuk e ka lënë retorikën zgjedhore. Është e nevojshme të kthehemi në realitet. Marrëdhëniet tona do të varen nga marrëveshjet e arritura, tha Radev.
Ai theksoi se angazhimi i udhëheqjes së Maqedonisë së Veriut në lidhje me Korridorin 8 do të jetë një tregues i qartë i ambicieve të vërteta evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe për një lidhje më të madhe në rajon.
– Pres që dëshira e shprehur për dialog dhe mirëkuptim nga presidentja Siljanovska Davkova do të mbetet si një politikë e qëndrueshme e qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Ne do ta ndjekim protokollin me rreptësi. Është koha edhe për vizitën time zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, shtoi Radev.
Pyetur nëse tashmë ka një ftesë të tillë, Radev u përgjigj se për këtë çështje do të diskutohet me presidenten e Maqedonisë së Veriut. (13 shtator)