“EU4Schools” ndihmoi në rindërtimin e mbi 60 institucioneve arsimore

Komisioni Evropian premtoi 4 vjet më parë 115 milionë euro nga buxheti i BE-së për rindërtimin e shpejtë dhe rehabilitimin e objekteve kyçe publike. 

Në këtë kontekst, mori jetë programi “EU4Schools” me një vlerë prej 75 milionë euro, i financuar nga BE dhe i zbatuar nga UNDP Albania duke synuar rindërtimin apo riparimin e më shumë se 60 institucioneve arsimore dhe duke rritur shpresat për një të ardhme më të mirë për 25 000 nxënës, mësues dhe fëmijë në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, 2019.

Bazuar në parimet kryesore “Rindërtojmë Më Mirë” dhe “Rindërtojmë Së Bashku”, deri më sot në kontekstin e “EU4Schools” kanë përfunduar 52 objekte arsimore, pranë të cilëve përfitojnë drejtpërdrejtë 15 000 fëmijë e nxënës, 1 050 mësues dhe 860 000 banorë të komuniteteve te prekura.

Ndërkohë, 8 objekte të tjera arsimore janë aktualisht në proces rindërtimi apo riparimi./ (19 shkurt)

Dy sipërmarrës të rinj të talentuar marrin mbështetje nga programet e BE

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri përmes një aktiviteti të zhvilluar në zonën e Lezhës, 70 kilometra në veripërëndim të Tiranës, njohu të rinjtë me arritjet e dy sipërmarrësve po të rinj nga zona e tyre, Rinaldo Gjolaj, themeluesi i “Alpine Bees” në Torovicë dhe Anjela Goraj që drejton “Vila Alpini” në Razmë.

Rinaldo i “Alpine Bees” ndau me të rinjtë udhëtimin e tij sipërmarrës dhe sesi me mbështetjen e programit EU4Innovation, “Alpine Bees” tani ka sisteme të automatizuara të monitorimit të koshereve dhe peshimit.

Ndërkaq, Anjela mirëpriti të rinjtë në “Vila Alpini” në Razmë, një bujtinë komode e mbështetur nga projekti “Rural You”.

Për Anjelën, “Vila Alpini” është më shumë se një biznes. Ai është një angazhim ndaj vendit të saj, duke siguruar që kjo zonë e bukur të lulëzojë dhe të ruajë identitetin./ (19 shkurt)

EU4Municipalities mbështet rikonstruksionin e një pallati kulture

Mjediset e këndshme, të rinovuara nga bashkia me mbështetjen e EU4Municipalities ofrojnë tani mundësi të reja për ngjarje kulturore dhe kurse teknologjie në Pallatin e ri të Kulturës në Burrel, 60 kilometra në veri të Tiranës.

Pallati ka salla të reja të baleti, muzike si edhe një galeri arti, por edhe një qendër e re TIK, që mundëson përparimin teknologjik të banorëve të qytetitm sidomos të rinjve.

Inovacioni dhe kultura për fuqizimin e Burrelit është një nga 19 ndërhyrjet që BE financon në të gjithë Shqipërinë me grante të EU4Muncipalities deri në 1,7 milionë euro./ (19 shkurt)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.