Rriten shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së për shtatëmujorin e parë të 2023-shit, zunë 59,5% të të gjithë tregtisë.
Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), në periudhën janar- korrik 2023, eksportet drejt vendeve të BE-së zunë 73,8% të eksporteve, ndërkohë që importet nga vendet e BE-së zunë 51,8% të tyre.
Partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë janë Italia me 30,4%, Kina me 7,6%, Turqia me 6,8 % dhe Greqia me 6,7%.
Gjatë këtij shtatëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë Italia me 10,6 %, Gjermania me 23,8% dhe Kina me 32,7%.
Ndërsa vendet me të cilin eksportet kanë pasur rritjen më të madhe janë Greqia me 15,6% dhe Spanja me 57,9%.
Vendet me të cilat Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë Turqia me 18,2%, Greqia me 14,9% dhe Italia me 4,3%.
Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe janë Kina me 34,5%, Zvicra me 79,5% dhe SHBA me 45,6%./ (17 gusht)
Eksportet drejt Greqisë rriten 15,6%
Eksportet shqiptare drejt Greqisë gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti, shënuan rritje me 15,6% ose 2,5 miliardë lekë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, eksportet gjatë periudhës janar-korrik, në vlerë llogariten 18,5 miliardë lekë, ndërsa në të njëjtën periudhë të 2022-shit ishin 16 miliardë lekë.
Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me Greqinë gjatë kësaj periudhe zunë 6,7% të totalit të të gjithë tregtisë.
Në vlerë ato arritën mbi 52 miliardë lekë.
Ndryshe nga eksportet, importet e mallrave nga Greqia në Shqipëri, gjatë 7-mujorit shënuan rënie. Ato llogariten për periudhën 33,9 miliardë lekë, kur të të njëjtën periudhë, një vit më parë (2022) u importuan mallra në vlerë 39,9 miliardë lekë.
Në vlerën e mallrave të eksportuara drejt shtetit fqinj, vendin kryesor e zënë grupi i mallrave “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” në vlerën 6,5 miliardë lekë dhe grupi “tekstile dhe këpucë”.
Eksporti i kësaj kategorie arriti për këtë periudhë vlerën e mbi 4,1 miliardë lekëve./ (17 gusht)
Bien eksportet drejt Gjermanisë, importet rriten 5,6 miliardë lekë
Eksportet në vlerë drejt Gjermanisë në gjysmën e parë të këtij viti shënuan rënie, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Referuar të dhënave, eksportet drejt Gjermanisë llogariten rreth 12,8 miliardë lekë, nga 18,4 miliardë lekë që llogariteshin për të njëjtën periudhë në 2022-shin.
Në rënien e eksporteve me 5,6 miliardë lekë, ndikimin kryesor e dha grupi “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”.
Të dhënat tregojnë se nga 11 miliardë lekë që ishte vlera e eksporteve të mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike, ato ranë në 4,9 miliardë lekë në 6-mujorin e parë të 2023.
Ndryshe nga eksportet, importet shënuan rritje me rreth 2,6 miliardë lekë përkundrejt 2022-shit, duke arritur në 27,6 miliardë lekë nga 30,2 miliardë lekë që ishin në 2022-shin.
Shkëmbimet tregtare me Gjermaninë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023 llogariten në rreth 6% të totalit duke e renditur këtë vend si partnerin e pestë tregtar të vendit tonë.
Qeveria gjermane ka investuar në Shqipëri që prej vitit 1988 më shumë se një miliard euro në formë grantesh dhe kredish, gjë që e shndërron Gjermaninë në një ndër donatorët bilateralë më të mëdhenj në vend.
Flukset e investimeve të huaja direkte arritën në 91 milionë euro./ (21 gusht)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.