Marrëveshje në fusha të ndryshme mes Shqipërisë dhe Bavarisë
Kryeministri i landit të Bavarisë, Markus Soder vizitoi për herë të parë Shqipërinë, pas ftesës së kryeministrit Edi Rama.
Pothuajse 40 vite pas vizitës misterioze në Shqipëri të ish-kryeministrit bavarez, Franz Josef Strauss, i cili i hapi rrugën vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, Soder u mikprit të hënën në ndërtesën e kryeministrisë nga shefi i qeverisë shqiptre, Edi Rama.
Rama e vlerësoi vizitën e Kryeministrit bavarez si një moment të rëndësishëm, në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bavarisë për thellimin e bashkëpunimit, përmes shfrytëzimit sa më të mirë të potencialeve që ekzistojnë mes vendeve, në fusha të ndryshme.
Homologët ranë dakord se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bavarisë kanë njohur zhvillime të rëndësishme gjatë këtyre tre dekadave në planin politik, ekonomik, arsimor dhe kulturor.
Rama i shprehu Soder mirënjohjen për mbështetjen e vendosur që Bavaria i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në BE.
Ata theksuan mbështetjen për Procesin e Berlinit dhe diskutuan mënyrat e një angazhimi më konkret në kuadër të këtij procesi, duke synuar një vëmendje më të madhe të investitorëve gjermanë.
Rama konstatoi se “ka një interesim gjithnjë e më të madh nga ana e kompanive bavareze për të investuar në Shqipëri, gjë të cilën e konfirmon edhe prania e përfaqësuesve të rëndësishëm të biznesit bavarez në përbërjen e delegacionit që shoqëron kryeministrin Soder”.
Pas takimit, dy kryeministrat firmosën një sërë marrëveshjesh të përbashkëta, qëllimi i së cilave është ngritja e mekanizmave të përshtatshme që do të identifikojnë dhe ndihmojnë në implementimin e projekteve konkrete në fusha të tilla si energjia, infrastruktura, turizmi, bujqësia, mjedisi dhe shëndetësia.
Rama nderoi kryeministrin Soder me dekoratën “Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike” për “Mbështetjen e veçantë të treguar ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor duke mos kursyer asnjë përpjekje për të konsoliduar proceset integruese, për kontributin dhe përkushtimin në forcimin e marrëdhënieve ekonomike e tregtare mes Bavarisë e Shqipërisë” ./ (13 shkurt)
Mbështetje rrugëtimit evropian të Shqipërisë
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin bavarez, Markus Soder, kryeministri Rama tha se tri ishin çështjet thelbësore që u diskutuan.
E para, për hapjen e një zyre të Bavarisë në Tiranë për zhvillimin e sipërmarrjes, e dyta, hapja e një shtëpie kulture bavareze dhe e treta mbështetja e të rinjve shqiptarë që duan të studiojnë në Bavari dhe të rikthehen në Shqipëri.
Rama tha se Bavaria është sot shtëpia e më shumë se 10 000 shqiptarëve, pjesa më e madhe e të cilëve janë tërësisht të integruar në jetën ekonomike dhe kulturore.
Soder vlerësoi reformat që ka ndërmarrë Shqipëria në rrugën drejt BE-së.
Sipas tij, Evropa do të jetë e fortë vetëm nëse këto marrëdhënie përforcohen dhe Shqipëria kësisoj, të bëhet shumë shpejt pjesë e Bashkimit Evropian.
Sa i përket hapjes së një zyre kontakti në Tiranë, Soder tha se ajo do të funksionojë në të dyja drejtimet, nga Bavaria në drejtim të Shqipërisë dhe anasjelltas.
“Kjo do të sjellë dhe mbështetjen e investimeve nga Bavaria në Shqipëri, po kështu mbështetje të kualifikimeve të fuqisë punëtore të kualifikuar në Shqipëri, por edhe anasjelltas”, deklaroi ai./ (13 shkurt)
Kryeministri bavarez viziton sheshin “Shtraus”
Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Soder zhvilloi një takim edhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Takimi u zhvillua në sheshin “Shtraus” në nder të atit të Bavarisë moderne, Franz Josef Shtraus. Veliaj vlerësoi kreun e qeverisë bavareze, sidomos për marrëveshjen për sigurimet shoqërore.
“Dua të falenderoj Shkëlqesinë e Tij, sepse u bënë disa vite që kur jemi takuar, dhe herën e fundit ai nënshkroi Marrëveshjen e Sigurisë Sociale, përmes së cilës, kryesisht për shqiptarët në Gjermani, por gjithashtu edhe për gjermanët këtu, të mund t’u njihen kontributet e kombinuara të pensioneve të tyre”, deklaroi Veliaj.
“Ne besojmë fuqishëm se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është shumë i rëndësishëm. Gjithnjë e më shumë duam të kultivojmë shkëmbime ekonomike, si në aspektin e investimeve, ashtu edhe të njerëzve që duan të punojnë me ne’’, tha nga ana e tij Soder./ (13 shkurt)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.