Mbrojtja e Vjosës sipas standardeve ndërkombëtare 

Lumi Vjosa, 150 kilometra në jugperëndim të Tiranës, u shpall Park Kombëtar nga qeveria shqiptare. 

Vjosa do të ruhet si një lumë natyror, me rrjedhje të lirë, në dobi të njerëzve dhe natyrës. 

Ky është rezultat i një bashkëpunimi unik midis qeverisë shqiptare, ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, OJQ-ve mjedisore nga fushata “Save the Blue Heart of Europe”, IUCN (Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës) dhe kompanisë së veshjeve të jashtme “Patagonia”. 

Vjosa dhe degët e saj kryesore derdhen lirshëm për mbi 400 kilometra, nga vargmali i Pindit në Greqi, ku quhet Aoös, deri në bregdetin e Adriatikut në Shqipëri. Lumi dhe zonat përreth tij janë ekosisteme të një biodiversiteti të konsiderueshëm dhe janë shtëpia e mbi 1 100 llojeve të kafshëve, duke përfshirë 13 lloje kafshësh dhe dy lloje bimore të vlerësuara si të kërcënuara globalisht nga IUCN. 

Parku Kombëtar i lumit të egër Vjosa lehtëson zgjidhjet e sfidave me të cilat përballet lumi si ndotja e ujit dhe tokës, menaxhimi i mbetjeve dhe shpyllëzimi. Gjithashtu, Parku Kombëtar do të krijojë mundësi ekonomike për komunitetet lokale, nëpërmjet turizmit të përgjegjshëm dhe do të ndihmojë në adresimin e problemit të shpopullimit nga zona. 

Me shpalljen e Vjosës Park Kombëtar të Kategorisë së Dytë, do të ofrohet mbrojtje sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, duke siguruar integritetin e saj ekologjik, duke lejuar që të ndodhin procese natyrore dhe duke mbështetur popullatat e të gjitha specieve. 

Në qershor 2022, kryeministri shqiptar Edi Rama, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe CEO i kompanisë amerikane “Patagonia”, Ryan Gellert u mblodhën në një ceremoni në Tiranë për të nënshkruar një angazhim që të krijonin së bashku Parkun Kombëtar të lumit të egër Vjosa. 

Gjatë nëntë muajve të fundit, një punë e gjithëpërfshirëse në terren dhe analiza të thella janë kryer nga një ekip prej mbi 30 ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë në fusha të tilla si eko-turizmi, gjeomorfologjia, ekologjia, planifikimi dhe menaxhimi i zonave të mbrojtura, financimi i qëndrueshëm i parqeve kombëtare, legjislacioni dhe vlerësimi i ndikimit social dhe mjedisor. 

Në të njëjtën kohë, qeveria shqiptare po fillon një proces të përbashkët me qeverinë greke për krijimin e parkut ndërkufitar Aoös-Vjosa, duke synuar nivelin më të lartë të mbrojtjes për të gjithë lumin, nga burimi në det, në të dy vendet./ (15 mars)

Lumi Vjosa si Park Kombëtar unik në Evropë

Pas miratimit më 13 mars, vendimi për ta shpallur Vjosën Park Kombëtar u firmos të mërkurën, më 15 mars, në mënyrë simbolike dhe luginën e këtij lumi nga kryeministri Edi Rama dhe kreu i Shoqatës Mjedisore Amerikane “Pantagonia” në Tepelenë. 

Në fjalën e tij, Rama tha se ky është një moment historik për mbrojtjen e natyrës dhe transformimin e mendësisë lidhur me natyrën si një hapësirë e përbashkët për zhvillimin ekonomik e social dhe si një trashëgimi për brezat që vijnë.

 Ai theksoi se janë 80 milionë dollarë që do të vendosen në dispozicion të Parkut Kombëtar të Vjosës, që të gjitha bashkitë të mos derdhin më ujërat e zeza në lumë. 

Nën modelin e Butrintit, Rama propozon krijimin e një fondacioni për Vjosën. Sipas tij parqet kombëtare sjellin 20% më shumë turistë se sa e njëjta lloj natyre. 

Rama solli në vëmendje faktin se në 10 vitet e fundit qeveria ka rritur sipërfaqen e mbrojtur duke e çuar në në 21 %. Ai deklaroi se “qeveria shqiptare ka objektiv që ta çojë në 30% territorin e zonave të mbrojtura në Shqipëri”.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro Furxhi është shprehur se Vjosa është një simbol i historisë njerëzore dhe një pjesë shumë e rëndësishme e historisë së vendit tonë.

“Tani fillon një fazë e re – ajo e hartimit të planit të menaxhimit për t’u dhënë njerëzve mundësinë për të ndërtuar jetën e tyre në një mënyrë të qëndrueshme”, tha ajo.

CEO i kompanisë amerikane, Patagonia Ryan Gellert ka theksuar se “ky bashkëpunim unik midis qeverisë, shoqërisë civile dhe biznesit është dëshmi e fuqisë së veprimit kolektiv dhe shpresojmë se do të frymëzojë të tjerët që të bashkohen për të mbrojtur zonat e egra që kemi lënë, në një mënyrë kuptimplotë”.

Ai u shpreh se ne jemi të përulur kur shohim se ky lum i jashtëzakonshëm dhe jeta e tij e egër do të ruhen përgjithmonë./ (17 mars)

Lumi Vjosa do të rrjedhë i lirë përgjithmonë

Aktori amerikan Leonardo DiCaprio, një nga aktivistët më të njohur për mbrojtjen e lumit Vjosë ka reaguar pas shpalljes së lumit Vjosa, Park Kombëtar. 

DiCaprio e ka cilësuar historike këtë moment ndërsa ka përshëndetur vendimin e marrë nga qeveria shqiptare. 

Ai thekson se bashkëpunimi mes qeverisë shqiptare, shoqërisë civile dhe bizneseve ka krijuar Parkun e parë Kombëtar të Lumit të Egër në Evropë. 

DiCaprio nënvizon se “lumi Vjosa do të rrjedhë i lirë përgjithmonë, nga burimi në det, për ta shijuar brezat e ardhshëm. Tani është një vizion i ri për ruajtjen globale të lumit. Urime për të gjithë ata që e bënë realitet këtë përpjekje të mahnitshme”. 

Lumi Vjosa dhe degët e saj rrjedhin lirshëm nga malet në Greqi në bregdetin e Adriatikut në Shqipëri. Kjo zonë përbëhet nga një mozaik gjigant i llojeve të ndryshme të habitateve, nga grykat e ngushta në pjesën e sipërme, në pjesët e gjera në pjesën e mesme, deri në deltën pothuajse natyrore në detin Adriatik. 

Vetëm shtrirja e mesme përbëhet nga të paktën tetë lloje habitatesh që kanë rëndësinë më të lartë të ruajtjes në nivel të BE-së. 

Pellgu ujëmbledhës përreth u siguron fshatrave tokë pjellore për aktivitete bujqësore si prodhimtaria bujqësore dhe blegtoria. Bollëku dhe diversiteti i peshqve është jetik për mirëqenien e peshkatarëve vendas, kryesisht në pjesën e poshtme të Vjosës. 

Eko-turizmi në Vjosë dhe degët e saj është gjithnjë në rritje, veçanërisht vitet e fundit pasi të apasionuarit kanë filluar të shijojnë aktivitete të tilla si rafting, kanoe, kajak dhe not./ (19 mars) 

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.