Bursa hap i rëndësishëm në sektorin elektro-energjetik shqiptar

Bursa Shqiptare e Energjisë, ka nisur operimin më 11 prill përmes ankandit të parë të tregut të ditës në avancë duke materializuar edhe një nga prioritetet e qeverisë shqiptare për sektorin elektro-energjetik.

ALPEX është bursa e dytë operacionale në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vjen si një domosdoshmëri për të garantuar transparencë, konkurencë dhe përdorim efikas të kapaciteteve, të cilat po shtohen e do të shtohen gjithnjë e më shumë, falë një sërë investimesh të reja apo të tjerave akoma në vijim.

Ndërkohë, në ankandin e parë u paraqit çmimi mesatar dhe volumet e tregtuara. Çmimi mesatar i shitjes së energjisë për 24 orët e ardhshme rezultoi 130,98 euro/MWH ndërsa volumet e shitura janë 7146,2 MWH.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku deklaroi në ceremoninë e nisjes së operimit të bursës se Shqipëria është sot në pozitat më të mira në rajon sa i përket strategjisë energjetike dhe zhvillimit që do t’i jepet vendit për të arritur objektivin për të qenë një vend eksportues neto energjie në vitin 2030.

Sipas saj, diversifikimi i burimeve të rinovueshme është synimi kryesor, por nuk harrojmë faktin se qëndrueshmëria dhe siguria energjetike mbeten kryesoret.

Balluku vuri në dukje se  viti 2022 shënoi nevojë ekstreme të të pasurit të një burse për Shqipërinë dhe Kosovën.

Me nisjen e ankandit të parë të ALPEX-it, ministrja tha se krijohet mundësia që brenda 12 muajve të kemi edhe tre ankande ditore duke kompletuar kështu këtë proces.

“Tani nis një hap i ri për krijimin e likuiditeteve që duhet të ketë kjo bursë. Prioritet i qeverisë shqiptare mbetet mbrojtja e familjarëve dhe bizneseve nga çmimet marramendëse të tregut”, deklaroi Balluku.

Balluku theksoi se, prodhuesit privatë të energjisë do të kenë mundësi të konkurrojnë me njëri-tjetrin duke përfituar nga bursa, por duke i dhënë mundësinë edhe industrisë vendase dhe tregut ndërkombëtar për të marrë energji elektrike me çmime sa më të konkurrueshme dhe sa më të ulëta./ (11 prill)

SHBA dhe Gjermania vlerësojnë krijimin e Bursës shqiptare të Eenergjisë

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, e pranishme në ceremoninë e mbajtur në Tiranë vlerësoi se krijimi i Bursës Shqiptare të Energjisë do të thotë integrim ekonomik në Europë.

Sipas saj, kjo ka të bëjë me krijimin e një mundësie që Shqipëria, Kosova dhe rajoni të kenë stabilitet në furnizimin me energji, por edhe me çmimin e saj.

“ Ka të bëjë gjithashtu me investimet si edhe me sigurimin që kompanitë nga e gjithë bota ta shohin Shqipërinë si një vend në të cilin të investojnë”, deklaroi diplomatja e SHBA-së.

“Ndërsa Shqipëria integron tregun e saj me Kosovën, Kim tha se e shohim këtë edhe si një bazë për integrimin brenda Ballkanit Perëndimor si dhe që Ballkani Perëndimor të integrohet brenda Europës.

 “Shqipëria do të ketë më shumë mundësi për t’u bashkuar me tregjet e energjisë elektrike të vendeve fqinje dhe për të tërhequr më shumë investime të huaja. SHBA kanë qenë shumë krenare të mbështesin ALPEX dhe USAID ka qenë aty në çdo hap të rrugës që nga ndihma në krijimin e Bursës së Energjisë deri tek trajnimi i personelit të ALPEX. Kur punojmë së bashku mund të arrijmë gjëra të mëdha”, tha ajo.

 Ambasadorja nënvizoi se ky bashkim tregu do të integrojë më tej Shqipërinë me tregun paneuropianë të energjisë duke hedhur bazat për rritjen e investimeve në energji të pastër dhe përmirësimin e sigurisë së energjisë.

Ndërsa ambasada e Gjermanisë në Tiranë thekson se nisja e operimit të Bursës Shqiptare të energjisë është një gur i rëndësishëm themeli në reformën e sektorit të energjisë në Shqipëri.

Ky sektor, thekson ambasada, është mbështetur nga qeveria gjermane dhe franceze që prej vitit 2019 nëpërmjet një kredie që nxit reformat nga Bankat për Zhvillim KfË dhe AFD për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe kontribuon në sigurinë energjetike dhe integrimin e tregut Shqiptar të energjisë në tregun rajonal dhe evropian./ (12 prill)

Kosova futet në Bursën e Energjisë (ALPEX)

Ministrja e Kosovës për Ekonominë, Artane Rizvanolli bëri të ditur gjatë kësaj ceremonie se, Kosova do të futet në Bursën e Energjisë (ALPEX) në muajin shtator.

Ajo tha se gjatë muajit shtator do të fillojmë ankandin e parë që do të tregtohet përmes ALPEX në zonën tregtare të Kosovës dhe njëkohësisht edhe bashkimin e tregjeve Kosovë-Shqipëri.

Duke folur për ndikimin e pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ajo tha se, sektori i energjisë ishte më i prekuri duke rritur barrën për qeveritë dhe qytetarët.

Sipas saj, Shqipëria dhe Kosova rritën bashkëpunimin ndërmjet tyre duke bërë që të dy vendet të mund të mbrohen nga importi i shtrenjtë i energjisë elektrike duke u kursyer rreth 50 milionë euro qytetarëve të Kosovës dhe po aq edhe atyre të Shqipërisë.

Ministrja Rizvanolli theksoi se, tregu i përbashkët krijon mundësi të reja biznesi. Kjo, vuri në dukje ajo, do të rrisë përfitimet dhe standardet e shërbimit.

Dy qeveritë tona ndajnë të njëjtin objektiv mbi modelin e synuar të energjisë elektrike ndaj qëndrojmë fuqishëm pas zotimit tonë për të liberalizuar e integruar tregjet tona të energjisë elektrike. ALPEX do të shërbejë si operator për menaxhimin e tregjeve, market ky që zbaton praktikat më të mira europiane”, tha ministrja e Ekonomisë së Kosovës./ (12 prill)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.