“Defender Europe 2023” e drejtuar nga Komanda Evropiane e SHBA-së
Shqipëria mikpriti për të dytën herë ngjarjen më të madhe ushtarake në Evropë me pjesëmarrjen e 29 vende aleate dhe partnere të NATO-s.
Stërvitja ushtarake “Defender Europe 2023” nisi të hënën, me një ceremoni të veçantë në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, ku u ekspozuan edhe mjete ushtarake.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm presidenti Barjam Begaj, kryeministri Edi Rama, ambasadorja amerikan Yuri Kim, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi si dhe gjeneralë të ushtrisë amerikane.
“Defender Europe 2023” drejtohet nga Komanda Evropiane e SHBA-së, ku do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të SHBA me ushtritë aleate dhe partnere të NATO-s deri më 3 qershor dhe do të shtrihet në 10 vende të ndryshme evropiane.
Në kuadër të stërvitjes rreth 7 000 pajisje u dërguan nga SHBA për në Evropë ndërkohë që do të angazhohen edhe 13 000 pajisje të tjera, të nxjerra nga stoqet e të pozicionuara paraprakisht.
Në kuadër të këtij angazhimi stërvitor gjithëpërfshirës, në datat 15 maj-9 qershor 2023, Shqipëria do të mirëpresë dhe zhvillojë stërvitjet “Imediate Response” dhe “Astral Knight”./ (22 maj)
Shqipëria kontributore në NATO
Presidenti Bajram Begaj, njëherësh edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura u shpreh gjatë ceremonisë se “Shqipëria është e përkushtuar në misionin e saj si faktor stabilizues në Ballkan dhe eksportuese e sigurisë në rajon e më gjerë”.
Ai theksoi se çdo investim më shumë drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse është një investim më shumë drejt stabilitetit për të garantuar një të ardhme më të paqtë të brezave të rinj, të cilët kurrësesi nuk duhet të përballen me pasojat shkatërruese që sjellin konfliktet.
“Koha për të marrë përgjegjësitë tona është tani dhe reagimi duhet t‘i përgjigjet sfidave aktuale”, u shpreh presidenti.
Kryeministri Edi Rama e konsideroi “privilegj” faktin që Shqipëria pret për herë të dytë stërvitjen “Defender Europe 2023”.
“Shqipëria është ulur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si bashkëpenëmbajtëse për çështjen e Ukrainës. Kjo është përgjegjësi e jashtëzakonshme, që vë në duke pjekurinë dhe zhvillimin që ka arritur vendi ynë”, tha Rama.
Ai tha se kjo stërvitje na rikujton se pavarësisht gjuhës që flasim, pavarësisht flamurit, jemi të lidhur pazgjidhshmërisht me ato vlera dhe parime, të cilat janë të kërcënuara po njësoj për secilin prej nesh.
“Vitin e shkuar erdhi lajmi i mirë për ngritjen e shtabit të bazës së forcave operacionale, që dëshmon se Shqipëria mbetet një aleate e fortë dhe e besueshme e SHBA-së dhe NATO-s”, theksoi kryeministri.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim tha se kjo stërvitje tregon se “SHBA së bashku me vendet aleate mund të kryejnë çdo mision”.
“Jemi këtu si aleatë miq dhe partnerë, amerikanë dhe shqiptarë që qëndrojnë krah për krah, dikur të ndarë, tani aleatë të NATO-s dhe partnerët më të afërt ushtarakë. Në dy vite që prej Defender 2021, bota ka ndryshuar. Shqipëria dhe aleatët tanë të NATO-s janë më të bashkuar dhe më të fortë se kurrë”, theksoi ambasadorja Kim./ (22 maj)
“Defender Europe 2023” rikonfirmon bashkëpunimin e ngushtë me SHBA-në
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi e cilësoi “Defender Europe 23”, një stërvitje të përmasave të jashtëzakonshme, ku Forcat e Armatosura të Shqipërisë ndihen krenare, që marrim pjesë pas suksesit të plotë të arritur dy vjet më parë, në “Defender Europe 21”.
Peleshi deklaroi gjatë ceremonisë se “Defender Europe 23” rikonfirmon bashkëpunimin e ngushtë që Shqipëria ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vazhdën e një partneriteti të fortë strategjik në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, për të cilin ne jemi thellësisht mirënjohës.
“Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë pjesë e rëndësishme e kësaj stërvitjeje. Nëse dy vjet më parë u testuam me sukses të plotë për kapacitetet tona… sot me po aq sukses po përballojmë të tjera detyra përfshirë këtu edhe ato drejtuese dhe koordinuese të Task Force South”, theksoi ministri.
Peleshi nënvizoi se “synimi ynë është të tregojmë se jemi në gjendje të përballojmë çdo situatë që mund të krijohet në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes duke përmbushur çdo detyrë dhe angazhim që na takon si vend i NATO-s./ (22 maj)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.