Në Shtëpinë e Evropës në Tiranë u mbajt aktiviteti “Breaking the Moulds – Shaping the Future”, ku të pranishëm ishin ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, si edhe gazetarë dhe regjisorë të njohur në Shqipëri.

Shtëpia e Evropës u kthye në një kinema, teksa histori të fuqishme dhe të patreguara morën dritë. Në këto histori të rrëfyera përmes filmave të shkurtër u evidentuan mesazhe të guximshme, nga heshtja rreth trafikimit të qenieve njerëzore te qëndresa e harruar e grave nën diktaturë, dhe betejat e përditshme kundër stereotipeve.

Të krijuara nga të rinj të talentuar përmes projektit të financuar nga BE “Breaking the Moulds – Shaping the Future”, këto punime denoncojnë padrejtësinë, nxjerrin në pah guximin dhe bëjnë thirrje për një media më gjithëpërfshirëse dhe etike në Shqipëri.

“Jam krenar të shoh që BE-ja po fuqizon gazetarë dhe regjisorë të rinj e guximtarë për të treguar histori të fuqishme. Nëpërmjet këtyre tregimeve, ata po ndihmojnë në ndryshimin e narrativës, jo vetëm për gratë në media, por edhe për gratë në shoqëri”, tha Gonzato.

“Mesazhi im për ta: Vazhdoni të krijoni, të sfidoni dhe të mbështesni njëri-tjetrin. BE-ja do të vazhdojë të jetë në krahun tuaj”, apeloi Gonzato.

Aktiviteti i mbështetur nga Bashkimi Evropian u realizua në bashkëpunim me  ‘Albanian Women in Audiovisual’ dhe SCiDEV, që kanë trajnuar, mentoruar dhe ndjekur nga afër këta të rinj të talentuar në çdo hap të prodhimit të filmave. (11 qershor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.