Nismë e re për rritjen e eksportit të vajit të ullirit
Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka ndërmarrë një nismë të re e cila synon të forcojë eksportin e vajit të ullirit në vendet e BE-së dhe vendet që blejnë me çmime të larta.
Kjo iniciativë do të zbatohet nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) në bashkëpunim edhe me Shoqatën Shqiptare të Vajit të Ullirit, FED Invest si dhe me mbështetjen e RisiAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim, SDC.
Nisma po zhvillohet nën kujdesin e veçantë të ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, si dhe me mirëkuptimin e homologut të saj italian Françesko Lolobrixhida.
Konkretisht, mbështetja shkon në identifikimin e poseduesve të vajit tepricë për shitje në sasi dhe cilësi, ngritjen e kapaciteteve dhe ndërgjegjësimin rreth praktikave më të mira në prodhimin dhe ruajtjen e cilësisë së vajit të ullirit, kryerjen e analizave të vajit të ullirit, me qëllim ndihmën ndaj eksportuesve në aksesimin e tregjeve me vlerë të lartë.
Gjithashtu, nisma mbështet bashkëpunimin midis aktorëve të ndryshëm, përfshirë: QTTB, AREB, pushteti lokal, fermerët, përpunuesit dhe kompanitë e eksportit.
Kjo iniciativë është në vazhdën e politikave mbështetëse që ka ndërmarrë MBZHR për vajin e ullirit, i cili vitin e kaluar u përball me superprodhim dhe thuajse mbeti stok për shkak të çmimit nën kosto.
Në përpjekje të vazhdueshme për të mbështetur fermerët dhe sektorin në tërësi, MBZHR, po vijon të zbatojë strategjinë e financimit të fermerëve me subvencione dhe programe të tjera, për uljen e kostos prodhuese dhe rritjen e eksporteve si vlerë e shtuar e ekonomisë./ (15 qershor)
Eksportet e vajit të ullirit u katërfishuan
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ka nënshkruar disa marrëveshje me homologun italian Francesko Lolobrigida në mbështetje të zgjerimit të eksportit të vajit të ullirit në tregun italian dhe evropian.
Efektet e këtij bashkëpunimi kanë dhënë rezultate të prekshme në rritjen e eksportit të vajit të ullirit. Vetëm në katër muajt e parë të 2023 janë eksportuar mbi 1 258 tonë vaj ulliri kundrejt 326 tonëve që u eksportuan gjatë vitit 2022.
Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në vitin 2022, prodhimi i vajit të ullirit është 13 % më shumë se në vitin 2021. Krahasuar me vitin 2020, prodhimi është shtuar me 42 %. Ndërsa në vitin 2021, prodhimi i vajit të ullirit ishte rreth 26 % më shumë se viti 2020.
Sipas statistikave paraprake, rezulton një prodhim prej 29,2 mijë tonësh vaj ulliri dhe rreth 157,7 mijë tonë ullinj, ndërkohë që në vitin 2021 kishte 110 mijë tonë ullinj dhe 25,8 mijë tonë vaj ulliri.
Investimet në industrinë përpunuese të vajit të ullirit, kanë përmirësuar cilësinë e standardet e këtij produkti i cili tashmë është mjaft i kërkuar për eksport edhe në tregjet europiane.
Një milion euro ishte fondi i disbursuar një vit e gjysmë më parë, si grante për projektin “Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të ullirit”, që mbështet fermerët për shtimin e sipërfaqeve të mbjella me ullinj, për përmirësimin e mekanizimit dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit të vajit të ullirit./ (15 qershor)
Bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Tregtisë për eksportet bujqësore
Një bashkëpunim i ri ka nisur mes Sekretariatit Shtetëror të Zvicrës për Çështjet Ekonomike, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Qendrës Ndërkombëtare të Tregtisë për përmirësimin e rritjes së eksporteve të agropërpunimit.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca njoftoi javën që kaloi programin e ri për promovimin e tregtisë, i cili do të mbështesë sektorin e agrobiznesit në Shqipëri me synim krijimin e një rritjeje të qëndrueshme të eksporteve.
“International Trade Agency do të jetë energjia më e re që ne po çojmë tek disa nga kampionët e prodhimit dhe të eksporteve tona siç janë fruta-perimet, vaji i ullirit dhe bimët mjekësore”, tha Krifca.
Ajo ka deklaruar se bujqësia shqiptare po shndërrohet në një eksportues të fuqishëm rajonal të produkteve të freskëta me 500 milionë dollarë eksporte për vitin 2022 duke përmbushur ritmin e rritjes së vendosur si objektiv madhor, atë të një miliard dollarë eksporte në vitin 2030.
Zëvendëskryetari i misionit në ambasadën e Zvicrës, Patrik Meier tha se “Shqipëria ka pasur përparim të mirë me eksportet bujqësore në vitet e fundit, por ka ende potencial për t’u shfrytëzuar”.
Sipas tij, “ndërmarrjet në Shqipëri ende kanë rrugë për të bërë për të plotësuar standardet ndërkombëtare dhe europiane të cilësisë për t’u përputhur me pritshmëritë e tregut”.
Qendra Ndërkombëtare e Tregtisë do të punojë ngushtë me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me organizatat që mbështesin biznesin, dhe me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për të forcuar kapacitetet, sistemet dhe rregullat me qëllim që të rriten eksportet bujqësore dhe ushqimore, dhe të përmirësohet gama dhe cilësia e tyre./ (15 qershor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.