Rritja ekonomike mbështetet nga turizmi dhe ndërtimi
Ekipi i Fondit Monetar Ndërkombëtar vlerëson se ekonomia e Shqipërisë ka shfaqur qëndrueshmëri përballë goditjeve të njëpasnjëshme, ndërsa këtë vit, rritja ekonomike pritet rreth 3%, e mbështetur nga kërkesa e qëndrueshme konsumatore, turizmi dhe aktiviteti i ndërtimit.
Ekipi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i kryesuar nga Anke Weber, zhvilloi një vizitë në Shqipëri gjatë datave 13-19 qershor, për të diskutuar zhvillimet e fundit makroekonomike, parashikimin ekonomik dhe politikat prioritare.
Misioni i FMN-së mbështet angazhimin e autoriteteve për konsolidim fiskal, ndërkohë që theksohet se rritjet e ardhshme të pagave në sektorin publik duhet të shoqërohen me masa domethënëse për të ardhurat dhe përfitime në efikasitetin e sektorit publik.
“Synimi i Bankës së Shqipërisë për të vijuar normalizimin e politikës monetare është i duhuri. Në rast se inflacioni zgjat më shumë se parashikimet, mes kushteve të shtrënguara të tregut të punës dhe rritjeve të pagave në sektorin publik, ritmi i shtrëngimit duhet të përshpejtohet”, thuhet në deklaratë.
Sipas FMN-së, ekonomia shqiptare ka tejkaluar pritshmëritë në vitin 2022, duke u rritur me 4,8 për qind, mbështetur nga kërkesa e fortë konsumatore, flukset hyrëse të turizmit dhe aktiviteti i ndërtimit. Deficiti i llogarisë korrente dhe deficiti fiskal u ulën në mënyrë të konsiderueshme, paralelisht me një vlerësim të lekut.
“Këtë vit, rritja ekonomike pritet të jetë e moderuar, rreth 3,0 për qind, për shkak të ngadalësimit të rritjes ekonomike të partnerëve tregtarë, tërheqjes së politikës mbështetëse dhe kushteve më të shtrënguara financiare. Besimi i vazhdueshëm i konsumatorëve dhe turizmi do të mbështesin aktivitetin ekonomik për këtë vit. Inflacioni ka ardhur gradualisht në rënie, por mbetet ende mbi objektivin e Bankës Qendrore”, u shpreh Weber.
Sipas saj, rritja ekonomike e partnerëve tregtarë më e ngadaltë se pritshmëritë mund të ndikojë eksportet dhe rritjen ekonomike në Shqipëri.
“Një përshkallëzim i luftës së Rusisë në Ukrainë dhe moti i pafavorshëm, si faktor në prodhimin e energjisë elektrike, mund të sjellin një përsëritje të goditjeve të ofertës. Nga ana tjetër, ekonomia mund të jetë përsëri më e qëndrueshme se pritshmëritë, falë ecurisë së fortë në turizëm”, vijoi ajo.
FMN nënvizon se ulja e mëtejshme e inflacionit është thelbësore, sidomos për të mbrojtur familjet në nevojë./ (19 qershor)
Sistemi financiar, garanci në përballimin e situatave kritike
Ekipi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i kryesuar nga Anke Weber, zhvilloi takime me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Genc Sejko.
Temat kryesore të diskutimeve me drejtuesit e nivelit të lartë të MFE-së, ishin politikat fiskale dhe buxhetore, performanca e të ardhurave dhe perspektiva e tyre, ecuria e shpenzimeve buxhetore, masat që po marrim për reduktimin e borxhit publik dhe trajtimi i rreziqeve fiskale, si dhe pensionet, demografia dhe tregu i punës.
Ndërsa në takimin me Sejkon në fokus ishte analiza e situatës më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, projeksionet për të ardhmen, si dhe diskutimi mbi politikat e ndjekura.
Shefja e Misionit të FMN-së u shpreh se, sistemi bankar, në përgjithësi, ka treguar rezistencë ndaj goditjeve të njëpasnjëshme, me pozicione të shëndetshme kapitali dhe likuiditeti. Ajo inkurajoi monitorimin e vazhdueshëm të rrezikut të kredisë bankare, të kursit të këmbimit dhe të normës së interesit.
Gjatë takimit, Guvernatori Sejko vlerësoi se, ekonomia shqiptare pritet të shënojë rritje në vitin 2023, duke dëshmuar qëndrueshmërinë e sektorit financiar, si dhe fleksibilitetin e sektorit privat.
Guvernatori theksoi se, rritja ekonomike pritet të udhëhiqet nga rritja e konsumit privat dhe e eksporteve në planin e kërkesës agregate, dhe nga zgjerimi i sektorit të shërbimeve dhe të ndërtimit në planin sektorial.
Sejko theksoi se, inflacioni ka qenë në qendër të vëmendjes të Bankës së Shqipërisë dhe se politikat monetare dhe ato ekonomike të ndjekura kanë ndihmuar në ruajtjen e një niveli relativisht të ulët inflacioni krahasuar me vendet e rajonit dhe në uljen e pasigurisë./ (19 qershor)
Forcimi i kursit të këmbimit, në linjë me rritjen e eksporteve
Kursi i këmbimit në vend dhe forcimi i monedhës kombëtare, lek ishte një tjetër cështje e diskutuar në takimin që Guvernatori i BSH-së zhvilloi me zhvilloi me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga Anke Weber, shefe e Misionit të FMN-së për Shqipërinë.
Guvernatori u shpreh se, Shqipëria ka pasur gjithnjë një regjim të lirë kursi këmbimi në rrugën e saj të tranzicionit e zhvillimit, regjim i cili i ka dhënë asaj një instrument të rëndësishëm për përballimin e goditjeve dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë nuk targeton një nivel të caktuar të kursit të këmbimit, e megjithatë i kushton një vëmendje të veçantë ecurisë së tij.
Guvernatori shtoi se, tregu valutor ka funksionuar normalisht gjatë dy viteve të fundit, duke mos shfaqur çrregullime apo fenomene spekulative, çka sugjeron se forcimi i kursit të këmbimit të lekut është një fenomen i përcaktuar nga ekonomia reale dhe jo nga tregu financiar. Të dhënat e bilancit të pagesave tregojnë një rritje të konsiderueshme në investimet e huaja direkte, një rritje të konsiderueshme të të ardhurave nga turizmi, rritje të eksporteve në total, si dhe një rritje të remitancave në krahasim me vitin e kaluar.
Shefja e Misionit të FMN-së konstatoi se, trendi forcues i kursit të këmbimit është në linjë me rritjen e eksporteve dhe përmirësimet strukturore në balancat e jashtme të ekonomisë shqiptare. Në këtë kontekst, ajo nënvizoi dobinë dhe përfitimet që ka ekonomia shqiptare nga regjimi i lirë i kursit të këmbimit dhe theksoi se, në përputhje me këtë regjim, ndërhyrja në tregun valutor duhet të kufizohet në kushtet e çrregullimit të tregut, duke ruajtur rolin e kursit të këmbimit si amortizues goditjesh./ (20 qershor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.