Shërbimi satelitor bazë e leximit të territorit

Monitorimi i territorit të Shqipërisë me teknologji të avancuar përmes satelitëve Albania1 dhe Albania2 shënon një epokë të re në trashëgiminë hapësinore të Shqipërisë, ku objekti kryesor është monitorimi i territorit dhe sigurimi i qasjes në të dhënat e regjistruara nga satelitët.

Përpara institucioneve publike u prezantuan produktet e para të përftuara nga shërbimi satelitor.

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në këtë aktivitet tha se “falë shërbimit satelitor kemi një bazë fantastike të leximit të territorit sipas nevojave të dikastereve, gjë që e bën të pamundur korrupsionin në shumë fusha’’.

Në janar të këtij viti u krye lëshimi në hapësirë i satelitëve, Albania1 dhe Albania2.

Deri në 21 qershor janë mbledhur të dhëna nga 16 324 km2 të Republikës së Shqipërisë.

“Për shkak se moti e vështirësoi shumë punën e atyre që janë përfshirë në këtë proces, kompania ofruese e shërbimit shtoi edhe tetë satelitë të tjerë pa asnjë pagesë ekstra për të na furnizuar me më shumë imazhe në ato periudha kohe”, shtoi Rama.

Rama nënvizoi vlerën e këtyre imazheve për disiplinën në ndërtim, e cila sipas tij është e jashtëzakonshme.

Kryeministri theksoi edhe agjencitë ligjzbatuese tanimë e kanë shumë më të lehtë për të pasur qartësi të plotë jo thjesht mbi sipërfaqen e konstatuar, por edhe mbi ndërhyrjet në çdo sipërfaqe./ (5 korrik)

Satelitët mbulojnë 47% të territorit

Shqipëria ka arritur të monitorojë përmes dy satelitëve të hedhur në hapësirë 47% të territorit.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku tha se me futjen e shërbimeve satelitore, Shqipëria është duke përshpejtuar ritmin drejt përdorimit të teknologjive të avancuara si inteligjenca artificiale, machine learning dhe deep learning.

Sipas saj, objektivi kryesor i shërbimit satelitor është monitorimi i territorit dhe sigurimi dhe ofrimi i qasjes në të dhënat e ofruara nga satelitët.

“Shërbimi satelitor do t’i ofrojë qeverisë shqiptare autoritet të plotë menaxhimi mbi informacionin e përfituar nga shërbimi dhe qëllimi është sigurimi i të dhënave për trajtimin e nevojave të institucioneve përfituese”, tha Balluku. 

Me lancimin e dy satelitëve, Shqipëria është bërë vendi i dytë në rajon, pas Sllovenisë, që ka kostelacionin e saj të satelitëve në hapësirë.

“Me kostelacionin e dedikuar satelitor, Shqipëria bëhet pjesë e ekonomisë së re të hapësirës, duke zhvilluar përfshirjen e saj në komunitetin hapësinor, mes shfrytëzimit të fuqisë së imazheve satelitore me rezolucion të lartë, të cilat mundësojnë realizimin e ambicieve tona si vend anëtar i NATO-s”, theksoi më tej Balluku./ (8 korrik)

Risitë e monitorimit të territorit përmes satelitëve

Me një gamë të gjerë përdorimi, nga parandalimi i zjarreve te përmbytjet, duke vijuar te bujqësia dhe ndërtimi pa leje, Shqipëria përmes satelitëve të hedhur në hapësirë bëhet pjesë e epokës së ekonomisë së hapësirës.

Dritan Prifti, drejtuesi i Drejtorisë së Përpunimit të informacionit të Territorit me Teknologjitë e Avancuara pranë Autoritetit Shtetëror të Informacionit Gjeohapësinor, ka prezantuar risitë që sjell monitorimin e territorit tonë përmes shërbimit gjeohapësinor.

Ai ka theksuar se shërbimet satelitore kanë një gamë të gjerë të përdorimit të tyre në çdo fushë të jetës, si në agrokulturë, mjedis, në ndërtimet informale, në fushën e sigurisë kombëtare.

Gjithashtu, përftohet ndihmë e vyer edhe në fushën e emergjencave civile dhe në shumë sektorë tjerë për një reagim sa më të shpejtë.

Shqipëria, përmes këtij shërbimi përshtatet dhe me epokën e re që lidhet me ekonominë hapësinore. Përtej teknologjisë, një tjetër përfitim është rritja e kapaciteteve njerëzore, që do të trajtojnë dhe analizojnë imazhet dhe informacionet gjeohapësinore që merren përmes satelitëve.

Gjatë aktivitetit, u prezantuan dhe dy shembuj konkretë, ku Agjencia e Mbrojtjes Civile ka përfituar informacion të vlefshëm përmes satelitëve./ (11 korrik)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.