Gjykata Kushtetuese në Shqipëri paraqiti vëllimin e dytë të udhërrëfyesit të Jurisprudencës me praninë e autoriteteve të larta shtetërore.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçe theksoi gjatë paraqitjes se për herë të pare jurisprudenca e plotë e Gjykatës Kushtetuese bëhet e aksesueshme në një format të strukturuar dhe gjithëpërfshirës, duke mundësuar një kuptim më të mirë dhe një përdorim praktik të parimeve e standardeve kushtetuese.
Zaçaj shtoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme dhe ekzekutimi i tyre përbën një detyrim kushtetues për të gjitha pushtetet.
Ndaj, shtoi ajo, “kushtetutshmëria si mënyrë të qeni dhe të sjelluri është pasaporta jonë e vetme në rrugën e integrimit drejt Evropës së bashkuar”.
Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, nga ana e tij vlerësoi se drejtësia e dhënë nga gjykatat do të jetë një kontribut i çmuar në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Gonzato theksoi se është me rëndësi që drejtësia të jetë e dukshme dhe e prekshme për qytetarët.
“Vendimet e formës së prerë duhet të përmbushin standardet dhe të rrisin besimin, duke ndërtuar ura mes gjykatave dhe një gjuhë të përbashkët për këto institucione. Drejtësia jo vetëm duhet të jepet, por qytetarët duhet ta shohin, ta kuptojnë e të kenë besim”, tha Gonzato.
Vetëm kështu, theksoi ai, “anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të shihet si një mundësi transformuese”.
Gonzato gjithashtu theksoi se, “Gjykata Kushtetuese ka krijuar një trupë të pasur dhe komplekse jurisprudence që ka mbrojtur të drejtat themelore dhe ka kontribuar në reformën në drejtësi”.
Prandaj, shtoi Gonzato, vlen ky udhërrëfyes sepse përfaqëson një përgjigje të fortë ndaj sfidave. “Ky udhërrëfyes ofron një bazë praktike njohurish për të nxënit e vazhdueshëm gjyqësor”, përfundoi Gonzato. (14 korrik)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.
