Air France, një nga kompanitë më të njohura ndërkombëtare, ka nisur fluturimet mes Tiranës dhe Parisit.

Kjo linjë që rikthehet pas shumë vitesh në Shqipëri, do t’u ofrojë udhëtarëve të saj fluturime direkte drejt aeroportit Charles De Gaulle, dy herë në javë, të martave dhe të shtunave.

Në ceremoninë e zhvilluar në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku tha se “Air France, që kryen fluturime në mbi 300 destinacione, së fundmi përzgjodhi edhe Shqipëria me dy fluturime, fillimisht për të testuar tregun dhe më pas për ta zgjeruar atë”.

Ministrja bëri me dije se në fund të korrikut do të përfundojë investimi në ndërtimin e terminalit të ri të aeroportit për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe shërbimeve. Ajo solli në vëmendje rritjen e madhe të fluturimeve nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Shefi i Operacioneve të aeroportit,  Volker Wendefeuer vlerësoi faktin se Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po zhvillon vazhdimisht fluturimet e tij të drejtpërdrejta jo vetëm me aeroportet kryesore evropiane, por edhe duke zgjeruar më tej fluturimet në të gjithë botën.

 “Ne jemi shumë të lumtur të mirëpresim Air France në TIA dhe të rrisim portofolin tonë me një nga linjat ajrore më prestigjioze evropiane. Parisi është gjithmonë një opsion i mirë!” tha ai. (12 korrik 2022)

Shqipëria me tre aeroporte ndërkombëtare

Vitet e fundit Shqipëria ka zgjeruar investimet duke transformuar sektorin e aviacionit civil. Qëllimi është që deri në fund të vitit 2025, Shqipëria të ketë tre aeroporte ndërkombëtare. Shqipëria përuroi aeroportin ndërkombëtar në Kukës, më 18 prill 2021 me fluturimin e parë të pasagjerëve nga Londra të operuar nga “Air Albania”.

Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit “Zayed” është krijuar për të shërbyer si aeroporti i dytë i Shqipërisë, pas Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës dhe për të rritur turizmin në rajon. Ndërkaq një prej aeroportet më të mëdha të rajonit është duke u ndërtuar në Vlorë, 130 kilometra në jug të Tiranës. Aeroporti i Vlorës ka si synim të ofrojë fluturime përtej oqeanit./

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.