Tirana mikpret Samitin e Procesit të Berlinit
Kryeministri Edi Rama ka pritur të hënën në Tiranë krerët e vendeve të rajonit dhe komisionerin për Zgjerim në Bashkimin Evropian, Oliver Varhely.
Ky takim informal mes kryeministrave të shteteve të Ballkanit Perëndimor u zhvillua në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet më 16 tetor në Tiranë.
Të pranishëm në këtë takim informal ishin komisioneri i BE-se Oliver Varhelyi, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, kryeministri i Maqedonisë se Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç si dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Borjana Kristo.
Në fokus të bashkëbisedimit të kryeministrave të rajonit ishte plani i ri i mbështetjes financiare dhe ekonomike të BE-së për vendet e Ballkanin Perëndimor.
Në takim nuk ishte i pranishëm kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka sqaruar se kryeministri Albin Kurti e ka njoftuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama se nuk do të mund të shkojë në takimin joformal të liderëve të rajonit në Tiranë, pasi muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë dhe se paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në të njëjtën ditë. Kurti ka deklaruar se do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit në muajin tetor në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama ka nënvizuar rolin kyç që ka Procesi i Berlinit, ndërkohë që, sipas tij, “jemi në momentin e kapërcimit në një fazë tjetër të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian”./ (17 korrik)
Plan i ri i BE-së për Ballkanin Perëndimor
Kryeministri Edi Rama ka theksuar se “mbështetja financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe hapja e shtigjeve të integrimit në tregun e bashkuar europian, pa pritur anëtarësimin në BE”, ishin në fokus të takimit informal të zhvilluar në Tiranë me krerët e vendeve të rajonit dhe komisionerin për Zgjerim në Bashkimin Europian, Oliver Varhelyi.
Gjatë një konference për median, kryeministri Rama bëri të ditur se takimi informal u fokusua mbi planin e ri të mbështetjes financiare dhe ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Ndërsa Shqipëria do të mikpresë samitin e parë të Procesit të Berlinit jashtë BE-së në tetor, Rama tha se për këtë janë të angazhuar shumë seriozisht me qeverinë gjermane dhe me aktorë të tjerë, që ky samit të ketë një produkt domethënës për Ballkanin Perëndimor.
Ai ka theksuar domosdoshmrinë që ky samit të shërbejë për të hedhur një hap të rëndësishëm më tutje në raport me ato që Procesi i Berlinit ka në bazën e vet, që janë lehtësimet e vazhdueshme në ndërveprimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Rama ka deklaruar se synohet që kjo të shërbejë edhe për të hedhur një hap të rëndësishëm në raportet e Ballkanit Perëndimor me BE-në./ (17 korrik)
Mbështetja financiare dhe ekonomike për rajonin
Kryeministri Edi Rama në konferencën me gazetarët ka bëri të ditur se Shqipëria prej disa kohësh është në një përpjekje për të nxitur një mënyrë të re të të parit të gjërave në raport me Ballkanin Perëndimor, në aspektin e hendekut që ekziston përmes vendeve anëtare dhe vendeve tona, sidomos pas goditjeve të njëpasnjëshme të pandemisë, krizës energjetike në tërësi, konfliktit në Ukrainë, që ka bërë që BE të shpërndajë fonde shumë të konsiderueshme në mbështetje për vendet anëtare.
Kjo, sipas tij, e ka zgjeruar hendekun mes Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare, në aspektin e kapaciteteve plus mundësive të brendshme të çdo vendi, duke marrë parasysh jo vetëm këtë pasojë, por edhe kontekstin e përgjithshëm dhe të gjitha sfidat që sot janë të përbashkëta sa edhe të përveçme.
Rama ka deklaruar se “ne jemi përpjekur edhe duke u koordinuar me të tjerët të krijojmë një tjetër qasje, paralelisht me ecurinë e procesit të negociatave të kemi një mbështetje ekstra financiare dhe ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor”.
I pyetur mbi fushat ku Shqipëria do të kërkojë më shumë mbështetje nga ky plan, Rama tha se “nuk mund të flasim akoma për gjëra konkrete sepse ky plan është në diskutim”.
“Nuk e di a e keni ndjekur presidenten e Komisionit Ursula von der Leyen, e cila në Bratislavë dha një sinjal të qartë për objektivat e këtij plani. Ndërkohë që jemi shumë herët për të diskutuar se sa dhe pse një vend ose një vend tjetër do të marrë. Ajo që është e rëndësishme në këtë moment është që ta shikojmë rajonin si një i tërë dhe të punojmë për rajonin si një i tërë sepse kështu na sheh Bashkimi Evropian, pavarësisht se brenda për brenda rajonit ka vende që janë më përpara me procesin e integrimit dhe ka vende që janë më mbrapa”, tha Rama.
Për sa i përket fushave, kryeministri shtoi se edhe kjo është diçka që u diskutua edhe gjatë takimit informal dhe mbi të gjitha, shtoi ai, “ajo që është më e rëndësishmja është sesi ky plan do të integrohet me çfarë ne kemi si mekanizma ekzistues mbështetjeje nga Bashkimi Evropian”./ (18 korrik)
Kjo përmbledhje është një përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij botimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.