Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri mblidhet në Tiranë
Në përvjetorin e hapjes së negociatave të Shqipërisë, në Kuvendin e Shqipërisë u mbajt të mërkurën takimi i 16-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri i cili u hap nga bashkëkryetarët e Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, Toni Gogu dhe Manolis Kefalogiannis.
Gjatë këtij takimi u diskutua mbi prioritetet kyçe për integrimin europian të vendit si; zbatimi i reformave, lufta kundër korrupsionit, liria e medias, politikat mjedisore, Marrëdhëniet e Fqinjësisë së Mirë dhe bashkëpunimi rajonal.
Kefalogiannis vlerësoi përparimin e Shqipërisë në zbatimin e reformave ndërsa nënvizoi se ka ende shumë punë për të bërë.
“Jemi mbështetës të fortë të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Nxisim të gjitha institucionet e BE-së të ndihmojnë anëtarësimin e Shqipërisë në bllokun europian. Përmbushja e kërkesave në një kohë të shpejtë, ndihmon në përshpejtimin e procesit në tërësi. Presim me kënaqësi të bashkëpunojmë siç ka ndodhur deri tani”, deklaroi Kefalogiannis.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i shprehu mirënjohje Parlamentit Evropian për mbështetjen e Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian.
Ajo nënvizoi se integrimi europian është objektiv kombëtar mbipartiak ndërsa u shpreh se Shqipëria do të vijojë me zbatimin e reformave.
“Me këto ritme Shqipëria do përmbyllë shumë shpejt procesin e integrimit. Mbështetja e PE për integrimin europian të Shqipërisë ka qenë e dukshme. Shqipëria ka bërë përpjekje të suksesshme, kemi guxuar dhe kemi pasur rol lidershipi në bashkëpunimim rajonal. Kryesimi i Procesit të Berlinit në 2023 rikonfirmon kontributin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon”, theksoi ajo.
Delegacioni i lartë Parlamentar i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri u prit edhe nga kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të opozitës./ (19 korrik)
Përshpejtim i reformave integruese
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, kërkoi përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE ndërsa theksoi se angazhimi i vendit tonë është i patundur në këtë rrugëtim.
Ajo theksoi se PE ka qenë mbështetës i madh i Shqipërisë për anëtarësimin në BE ndërsa shtoi se raporti i fundit është provë e fortë e kësaj mbështetje.
Kryediplomatja shqiptare kërkoi të përshpejtohet dhe se presin hapjen e negociatave në konferencën ndërqeveritare në fund të 2023.
Ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Alvaro Renedo Zalba, vlerësoi përfshirjen aktive për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Presidenca spanjolle do të punojë për avancimin e procesit për integrimin e Shqipërisë. Jemi të vendosur për të mbështetur vlerat tona të përbashkëta. Lëvdoj Shqipërinë për bashkëpunimin lidhur me çështjet e punëve të jashtme dhe harmonizimin me politikën e jashtme të BE-së”, tha ai.
Zalba shprehu bindjen se ndjenjat e rrënjosura pro BE të Shqipërisë bëjnë një vlerë të veçantë që ky komb do t’i japë BE-së.
Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Christiane Hohmann, deklaroi se një vit pas konferencës ndërqeveritare, Shqipëria qëndron në një pozicion të volitshëm.
Sipas saj, një sërë reformash thelbësore e sollën Shqipërinë në tryezën e bisedimeve, jo më pak reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe theksoi se “ka reforma të forta që duhen ndërmarrë”.
Hohmman solli në vëmëndje se zhvillimet e fundit kanë treguar se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ka filluar të japë fryte ndërsa vlerësoi punën e SPAK-ut.
Kryenegociatorja dhe Ministrja e Shtetit, Majlinda Dhuka theksoi gatishmërinë e Shqipërisë për të përparuar drejt rrugës evropiane duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në çështjet që konsiderohen të rëndësishme.
Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, inkurajoi Shqipërinë të vijojë me zbatimin e reformave ndërsa nënvizoi se procesi po vazhdon mjaft mirë. “Janë bërë shumë reforma në kohë të vështira, tërmeti, tani lufta në Ukrainë, por kemi qenë të gjithë bashkë. Ju rekomandoj këtë, ecni me reformat, shikoni mjedisin, sektorët digjital, ekonominë, brezat e rinj”, apeloi Santos./ (20 korrik)
Hohmann: Mbështetje sistemit gjyqësor për të parë arritjen e rezultateve
Ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann vlerësoi se imazhi i Shqipërisë ka ndryshuar, por në të njëjtën kohë inkurajoi vijimin e punës në drejtim të zbatimit dhe ndërmarrjen e reformave. Sipas saj, suksesi i Reformës në Drejtësi bëri që Shqipëria të fitonte një vend në tavolinën e negociatave.
Diplomatja e BE-së nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së gjyqësorit nga Kuvendi, duke kërkuar që secili prej aktorëve të garantojnë që gjyqësori të japë rezultatet në standardet më të larta europiane dhe të mos ketë dyshime apo pikëpyetje në dhënien e drejtësisë për qytetarët.
Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE) zhvilloi të mërkurën takimin e radhës gjatë së cilit u diskutua mbi ecurinë e procesit të integrimit europian dhe hapat që po ndiqen në vijim në këtë proces.
Kryetarja e KKIE-së, Jorida Tabaku, vlerësoi rritjen e përfaqësimit të shoqërisë civile pas miratimit të ligjit të ri dhe nënvizoi faktin që një vit pas hapjes së negociatave dhe përfundimit të procesit “screening” ende shkëmbimi i informacionit me qeverinë nuk është maksimal.
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla tha se për t’iu përgjigjur nevojave e sfidave të procesit të negociatave, u miratua në mars të këtij viti, ndryshimet e ligjit “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”. Ajo tha se ky ligj rrit përgjegjësitë e Kuvendit, sidomos Këshillit dhe Komisionit për Çështjet Europiane, për të çuar përpara agjendën europiane, duke lehtësuar konsensusin për miratimin e ligjeve që do të jenë kritere për hapjen dhe mbylljen e negociatave, apo për hartimin e pozicioneve negociuese, nëpërmjet raportit me rekomandime që do i përcillet strukturës negociatore të Shqipërisë.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, vlerësoi se Shqipëria po përjeton një rienergjizim të procesit të integrimit dhe një vëmendje të re të institucioneve evropiane, e shoqëruar me arritje të qenësishme, të prekshme për të gjithë.
“Procesi ‘screening’ po vazhdon dhe kemi marrë vlerësime pozitive për përgatitjen dhe angazhimin e delegacioneve tona për të marrë përsipër detyrimet që sjell procesi i negociatave”, u shpreh Xhaçka, duke nënvizuar me tej se Shqipëria është në pritje të organizimit të konferencës së radhës ndërqeveritare për hapjen e grupimit të kapitujve themelorë të negocimit, pas miratimit nga Këshilli të Raportit Screening të Komisionit./ (20 korrik)
Kjo përmbledhje është një përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij botimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.