Rama: Rritja e interesit të investitorëve të huaj kërkon rritje të kapaciteteve qeverisëse

Në takimin e fundit të qeverisë shqiptare, kryeministri Edi Rama deklaroi se “ka një rritje të paimagjinueshme të interesit të investitorëve të huaj jo vetëm në energji, por edhe në turizëm dhe teknologji, të cilët deri para jo shumë viteve më parë, nuk do ta konsideronin fare Shqipërinë si mundësi për të zgjeruar biznesin e tyre”.

“Kjo na vë përpara nevojës që të kuptojmë se sa shumë gjëra duhet t’i vëmë në dispozicion nga ana e kapacitetit qeverisës, këtij ndryshimi për ta çuar Shqipërinë në 2030-ën në atë majë që e kemi përcaktuar si vizionin tonë”, tha Rama.

Një tjetër zhvillim shumë i rëndësishëm në fushën e energjisë është edhe ai që lidhet me burimet natyrore.

Rama ka nënvizuar se edhe në këtë sektor do të ketë risi për të cilën duhen kapacitete për t’u adaptuar dhe për të qenë në lartësinë e situatës nga pikëpamja e procesit qeverisës./ (30 korrik)

Inteligjencë Artificiale në disa sektorë

Kryeministri Rama zbuloi në një deklaratë për median disa nga projektet e qeverisë, ndërsa ka nënvizuar hedhjen e hapave tek përdorimi i Inteligjencës Artificiale në disa fusha.

Ai ka theksuar se me Inteligjencën Artificiale do të ndryshohet komplet edhe procesi i prokurimeve.

Gjithashtu, kreu i qeverisë ka bërë me dije se edhe portali qeveritar e-Albania do të transformohet tërësisht dhe do të komunikojë me qytetarët si ChatGPT.

“Në këtë proces do të fusim edhe bashkëqeverisjen dhe brenda vitit do të kemi shoqëruesin me zë dhe figurë që të dikton si ta kryesh shërbimin. E-Albania nuk do të jetë thjesht me shkrim”, sqaroi Rama.

Këtë proces, qeveria do ta shtrijë dhe në të tjerë sektorë si drejtësia, ku një platformë e Inteligjencës Artificiale që do të informojë median dhe qytetarët.

Kryeministri ka bërë me dije se do të bëhet një reformë më e thelluar në arsim për të qenë të përgatitur për epokën e re që po krijon teknologjia./ (1 gusht)

Ngrihet Agjencia Startup Albania

Këshilli i Ministrave ka vendosur të mërkurën (26 korrik) ngritjen e Agjencisë Startup Albania, vendim me impakt jo vetëm për ekosistemin e startup-eve, por edhe për çdo të ri e të re që do t’i futet fushës së sipërmarrjes duke përdorur teknologjinë e informacionit.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Billai është shprehur ky lajm vjen edhe në vazhdën e disa ndryshimeve dhe vendimeve që qeveria ka marrë.

Ministrja sqaroi se me këtë vendim për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve përfshihet koncepti i nomadëve digjitalë me dy ndryshime, lehtësimi i hyrjes së këtij targetgrupi në Shqipëri dhe përjashtimi nga taksat për qëndrimin e tyre deri në një vit.

Gjithashtu qeveria ka marrë vendim për ndryshime ligjore dhe akte nënligjore për parqet teknologjike dhe shkencore të shoqëruara edhe me përjashtimin e vlerës së plotë të pagesës së sigurimeve për pagat e punonjësve të IT-së.

Kjo, sipas ministres, do t’i hapë një mundësi dhe perspektivë krejt të re kompanive të huaja apo vendase që po synojnë të diversifikohen dhe të dalin me një prodhim të tyrin, qoftë ky në trajtën e një shërbimi për eksport./ (2 gusht)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.