Rama: Standarde evropiane në censin e popullsisë dhe banesave
Kryeministri Edi Rama tha se në Shqipëri janë pjekur kushtet për cens të popullsisë dhe banesave sipas standardeve evropiane. Ai tha se të gjitha të dhënat nga censi janë nevojë absolute për shumë arsye, së pari identifikimi real i numrit të banorëve dhe së dyti sa qytetarë të këtij vendi jetojnë në Shqipëri dhe numri i pasurive të patundshme.
Rama renditi dy faktorë si garanci e rëndësishme për standardet evropiane të procesit.
“Faktori i parë janë partnerët, kemi partnerët francezë, zviceranë, gjermanë, suedezë të gjithë të njohur për shpirtin e tyre të saktësisë, për eksperiencën e tyre në të qenit të saktë në numërim dhe patjetër me mbështetjen e vetë BE-së me një fond të konsiderueshëm, ku 55 % janë nga qeveria shqiptare pjesa tjetër nga këta partnerë”, tha Rama.
“Faktori tjetër është teknologjia e lartë, e cila na jep një ndihmë shumë të rëndësishme për të përdorur atë që përdoret në realitetet më të zhvilluara si mjet që garanton integritetin e shifrave në kohë reale. INSTAT ka një eksperiencë të padyshimtë institucionale dhe vijueshmëri profesionale që është garanci në këtë proces”, tha Rama.
Kryeministri shqiptar vuri në dukje gjithashtu se Shqipëria ka legjislacionin më të avancuar evropian për minoritetet./ (14 shtator)
Soreca: Censi i rëndësishëm për negociatat e anëtarësimit
I Ngarkuari me Punë i Bashkimit Evropian në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca kërkoi që censi i popullsisë dhe banesave 2023 në Shqipëri të japë informacione të besueshme. Duke marrë fjalën në konferencën për prezantimin e projektit, Soreca vuri në dukje se për të mundësuar një cens sipas standardeve të familjes së madhe evropiane. Bashkimi Evropian ka dhënë në formë granti për Institutin e Statistikave 4,8 milionë euro.
Diplomati europian theksoi se realizimi i censit është angazhim shumë i rëndësishëm, pasi ndikon në politikëbërjen, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në orientimin e fondeve të Bashkimit Europian në Shqipëri.
“Ky proces ka një rëndësi të madhe për të ofruar një informacion të besueshëm përmes së cilit do të hartohen politika të mbështetura në të dhëna, për të planifikuar shërbime publike dhe për shpërndarjen e fondeve të buxhetit shtetëror”, tha Soreca.
Sipas tij, “Shqipëria përballet me sfida specifike demografike, prandaj është e rëndësishme të ketë informacion të besueshëm statistikor për të bërë zgjedhjet e duhura për çështjet demografike, të strehimit, çështjet sociale apo pakicave”.
Soreca tha se censi është i rëndësishëm edhe në kontekstin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE./ (14 shtator)
Legjislacion dhe teknologji bashkëkohore për censin e popullsisë dhe banesave
Censi i Popullsisë dhe Banesave nis më 18 shtator dhe për realizimin e tij do të angazhohet një ekip i trajnuar prej 7 500 personash. Ky është censi i 12-të i popullsisë dhe banesave në Shqipëri në 100 vitet e fundit. Censi i parë daton në vitin 1923, ndërkohë që censi i vitit 2023 ndjek rekomandimet e OKB-së dhe BE-së.
Drejtoresha e Institutit shqiptar të Statistikave, Elsa Dhuli, njoftoi se censi do të jetë bazë në krijimin e regjistrave statistikorë të popullsisë rezidente në Shqipëri, të ndërtesave dhe banesave dhe kjo për faktin sepse censi i radhës i organizuar derë më derë, do të arrijë standardet më të larta evropiane sipas teknologjive më të përparuara.
Sipas saj, rezultatet e censit do të ofrojnë të dhëna mbi popullsinë rezidente, të dhëna mbi karakteristikat demografike, sociale dhe ekonomike në nivel të detajuar gjeografik.
Ai do të ofrojë të dhëna të nevojshme për dinamikën e popullsisë si dhe ndryshimet demografike.
Këtij procesi do t’i bashkohen 7 500 persona nga të cilët 5 240 janë anketues. Ky staf është trajnuar për një periudhë 6-javore.
Në këtë proces do të përdoret për herë të parë tableti për grumbullimin e informacionit. Rezultatet përfundimtare të këtij procesi do të publikohen më 30 qershor 2024./ (14 shtator)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.