Varhelyi: Plan i ri për përshpejtimin e rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor
Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi deklaroi se po përgatitet një plan i ri për të përshpejtuar rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor, në mesazhin drejtuar Ministerialit euroballkanik të ministrave të Ekonomisë nga BE-ja dhe rajoni.
Ai theksoi se plani për investime ekonomike, me vlerë 30 miliardë euro është shtylla kurrizore e lidhshmërisë dhe planit të integrimit.
“Në kontekstin aktual gjeopolitik, zgjerimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor është më shumë se kurrë një investim për paqen, sigurinë dhe begatinë në kontinentit tonë”, u shpreh Komisioneri.
“Ne po ndihmojmë me diversifikimin e burimeve energjitike dhe dekarbonizimin e ekonomive te Ballkanit Perëndimor, kalimin drejt një sistemi transporti më të qëndrueshëm, mbledhjen e të dhënave për të mbështetur sektorin dhe për të shkuar drejt një rajoni më të gjelbër dhe të dixhitalizuar”, shtoi Varhelyi.
“Deri tani kemi miratuar 3 miliardë euro grante që do të mobilizojnë 15,9 miliardë euro për investime. Kjo përfshin 54 projekte të rëndësishme në transport, energji, mjedis, digjitalizim, kapital njerëzor dhe konkurrencë në sektorin privat”, theksoi ai.
Ministri i deleguar francez për Tregtinë e Jashtme, Olivier Becht deklaroi se objektiv kryesor mbetet përshpejtimi i ndërlidhjeve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian./ (28 shtator)
Rama: Plani për mbështetjen e Ballkanit Perëndimor sjell më pranë BE-në
“Të paktën 6 000 shoqëri tregtare në Ballkanin Perëndimor kanë përfituar nga aktivitetet e nxitjes së tregtisë, nga heqja e barrierave jotarifore, nga panairet e përbashkëta dhe mbështetja e përshtatur për qasje në fondet e BE në raport me tregun”, tha kryeministri shqiptar, Edi Rama në fjalën e mbajtur në nisje të Ministerialit të ministrave të Ekonomisë dhe forumit të biznesit në kuadër të Procesit të Berlinit.
Rama tha se 5 vjet më parë ishte e papërfytyrueshme të diskutohej plani i ardhshëm i BE për të mbështetur Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që për sa i përket procesit të integrimit në bazë të meritës, çdo vend duhet të përmbushë detyrimet e veta.
“Integrimi me faza në tregun e përbashkët premton të na japë një ide të vyer, të paçmuar për rritjen ekonomike të rajonit të Ballkanit Perëndimor gjatë 5 viteve në vijim”, u shpreh Rama.
“Mund të mos biem dakord për një sërë gjërash në këtë rajon. Mund të kemi ende çështje të rëndësishme ende të pambyllura në këtë rajon, por përmes këtij procesi, të gjithë kemi mësuar që e vetmja mënyrë për t’u marrë, edhe me mosmarrëveshjet tona, është të përpiqemi të biem sa më shumë dakord e të bëjmë sa më shumë për atë çka mund të bëjmë së bashku”, nënvizoi Rama./ (28 shtator)
Mete: Anëtarësimi dhe integrimi në tregun e përbashkët evropian të shkojnë paralelisht
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, e cilësoi Ministerialin euroballkanik të ministrave të Ekonomisë nga BE-ja dhe rajoni, një moment të ri për Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij evropiane.
Sipas tij, procesi i anëtarësimit në BE dhe procesi i integrimit gradual në tregun e vetëm të BE-së duhet të ecin paralelisht dhe dorë për dore.
“Të dy proceset janë të lidhura ngushtësisht, pasi ato ushqehen me njëri-tjetrin dhe ofrojnë rezultate më të shpejta dhe më të prekshme për qytetarët e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.
“Përshpejtimi i ritmit të hyrjes në tregun e vetëm për të gjithë Ballkanin Perëndimor do të përkthehej në përmirësimin e konvergjencës midis BE-së dhe rajonit duke e lejuar atë të bëhet de facto pjesë e Zonës Ekonomike Evropiane”, shtoi Mete.
Mete tha se, “hendeku në standardet e jetesës midis Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Bashkimit Evropian mbetet jashtëzakonisht i lartë, e nga kjo lind nevoja e përshpejtimit të procesit të konvergjencës”./ (28 shtator)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.