Tirana priti ministra dhe partnerë për Takimin e 6-të Ministror për Integrimin e Romëve, në kuadër të Procesit të Berlinit si angazhim për të luftuar diskriminimin dhe për të përmirësuar qasjen në shërbimet thelbësore.
Takimi rikonfirmoi Deklaratën e Poznanit, një marrëveshje historike që angazhon qeveritë për të ndërmarrë veprime konkrete për përfshirjen e romëve në katër fusha kyçe: mundësitë për punësim, qasja në arsim, kushtet e strehimit dhe masat kundër diskriminimit.
Ministrja shqiptare e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof. Evis Sala e mirëpriti takimin si një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes së romëve.
“Në këto pesë vitet e fundit, me avancimin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt familjes evropiane, është arritur një përmirësim i dukshëm në lidhje me pakicat rome dhe egjiptiane në fusha si arsimi, punësimi, strehimi, shëndetësia, mbrojtja sociale, regjistrimi civil dhe aksesi në drejtësi, bazuar në standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”, tha Sala.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi rëndësinë themelore të përfshirjes së romëve.
“Lejimi i komuniteteve rome të marrin pjesë plotësisht në të gjitha aspektet e shoqërisë nuk është vetëm një çështje drejtësie është një e drejtë themelore dhe një hap thelbësor drejt ndërtimit të shoqërive më të larmishme, të barabarta dhe gjithëpërfshirëse. Këto vlera shpesh vihen në dyshim apo sfidohen, por ato mbeten parimet në zemër të BE-së”, tha Gonzato.
BE-ja qëndron pranë komuniteteve rome në Shqipëri dhe në mbarë Ballkanin Perëndimor, duke e bërë përfshirjen pjesë thelbësore të procesit të zgjerimit.
Në Shqipëri, mbështetja e BE-së, së bashku me partnerët, ka arritur te mbi 2,300 romë dhe egjiptianë, duke ndihmuar gati 300 persona të punësohen ose të nisin biznese dhe duke mbajtur mbi 2,000 nxënës në arsim.
Delegacioni i Bashkimit Evropian shprehu gatishmërinë për të vijuar të punojë me autoritetet kombëtare e vendore dhe me organizatat e drejtuara nga romët për t’i kthyer angazhimet në rezultate konkrete. (8 tetor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.