Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit, nën drejtimin artistik të koreografit të njohur me origjinë shqiptare, Angelin Preljocaj shënoi shfaqjet e para në Tiranë duke sjellë koreografët më të njohur evropianë dhe shqiptarë.

I mbështetur nga Bashkimi Evropian, edicioni i këtij viti e nxjerr kërcimin bashkëkohor jashtë hapësirave të zakonshme, në dobi të komuniteteve që jetojnë në pjesë të ndryshme të qytetit.

Delegacioni i BE në Tiranë vuri në dukje se duke e nxjerrë kërcimin pranë komuniteteve, rikonfirmohet angazhimi i përbashkët për gjithëpërfshirjen.

Pikërisht për këtë arsye, hapja e festivalit u zhvillua në mjediset e Qendrës Komunitare “Të Qëndrojmë së Bashku”, me “G.U.I.D.” nga Ballet Preljocaj, një shfaqje që përshtatet me hapësirën dhe i shndërron ambientet e përditshme në skena për të gjithë.

“Baleti, kur sillet në hapësira publike, mund të tejkalojë brezat dhe të ndërtojë ura mes kulturave, kombësive apo botëkuptimeve. Është një gjuhë universale që të gjithë mund ta kuptojnë, duke rrëzuar barriera dhe duke i lidhur njerëzit në mënyra që fjalët shpesh nuk munden. Kjo është bukuria e vërtetë e këtij arti”, u shpreh ambasadori i BE-së në Tiranë, Slvio Gonzato në nisje të festivalit.

I pranishëm në këtë event ministri shqiptar i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja u shpreh se kur kultura takon komunitetin, çdo emocion dhe histori bëhet e përbashkët, një kujtesë se arti është i të gjithëve dhe mund të prekë çdo zemër.

Drejtuesi artistik i festivalit, koreografi Angjelin Preljocaj, duke komentuar nisjen e rrugëtimit të këtij evenimenti artistik tha se festivali synon të afrojë artin e kërcimit me familjet, të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara, duke krijuar shkëmbime dhe ura të reja komunikimi mes artistëve dhe qytetarëve, në të përditshmen e tyre.

Kjo është java e parë e edicionit të 4-t të këtij festivali. Përgjatë ditëve të festivalit do të mund të ndiqen krijimet më të fundit të mbi 13 koreografëve e kompanive ndërkombëtare gjatë 3 javëve. Programi u hap me 4 performanca publike në qytet dhe 5 shfaqje në skenat e Teatrit Metropol dhe Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Festivali do të zgjasë nga 9 deri më 25 tetor dhe do të ofrojë shfaqje falas në hapësira publike në të gjithë qytetin e Tiranës. (10 tetor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.