Drejtoresha e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Valentina Superti gjatë vizitës në Tiranë zhvilloi një takim me kreun e strukturës së posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani.

Sipas një njoftimi nga delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë në lidhje me takimin, diskutimi ishte shumë i frytshëm me fokus te puna e rëndësishme e SPAK-ut në luftën kundër krimit të organizuar.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është një nga institucionet e krijuara në kuadër të Reformës në Drejtësi në Shqipëri, puna e së cilës është vlerësuar me ndikim në avancimin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Së shpejti, kryeprokurori Dumani do të pritet në Bruksel, ku ai do të paraqesë arritjet e SPAK gjatë mandatit të tij, një kontribut i madh në luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, si edhe në përparimin e vendit në rrugën e anëtarësimit në BE.

Delegacioni i BE-së në Tiranë bëri të ditur se puna thelbësore e SPAK duhet të vijojë me të njëjtën vendosmëri dhe forcë edhe nën Kryeprokurorin e ri të Posaçëm, duke shtuar se përzgjedhja dhe emërimi i pasardhësit të Dumanit do të vazhdojë të ndiqet nga afër.

Altin Dumani është drejtuesi i dytë i SPAK-ut që nga krijimi i institucionit, pas Arben Krajës, ndërsa mandati i tij përfundon më 18 dhjetor 2025.

Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit u krijua më datë 19 dhjetor 2019, si një nga institucionet e reja të Reformës në Drejtësi.

Tetë prokurorët e SPAK kanë një mandat 9-vjeçar, ndërsa mandati i kreut të SPAK është 3 vjet pa të drejtë rizgjedhjeje.

Rezultatet e mira të strukturës së posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, SPAK, janë hapa pozitivë që janë theksuar në raportin e Parlamentit Evropian.

Autoritetet në Bruksel kanë theksuar disa herë se është jetike që Shqipëria të vazhdojë të tregojë progres konkret në fushat kryesore. Në këtë kontekst, pavarësia e strukturës së posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, SPAK duhet të ruhet plotësisht. (20 tetor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.