Bujqësia është një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së Shqipërisë, që jep një kontribut prej rreth 18-20 % në Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe angazhon gati 37% të fuqisë punëtore.
Rritja vit pas viti me ritme dyshifrore e eksporteve të fruta-perimeve të freskëta i ka kthyer produktet bujqësore “Made in Albania” ndër grupet më të rëndësishme të eksporteve shqiptare, të katërtat për nga vlera e lartë këtë vit, pas fasonerisë, materialeve të ndërtimit dhe mineraleve.
Gjysma e parë e këtij viti dha sinjale pozitive në rritjen e eksporteve bujqësore në drejtim të sasisë dhe vlerës.
Sipas statistikave zyrtare, në 6-mujorin e parë të këtij viti, eksportet bujqësore kanë shënuar një rritje me 44 000 tonë produkte. Në fund të muajit qershor 2022, eksportet bujqësore arritën në 224 985 tonë, kundrejt 181 271 tonë që ishte në të njëjtën periudhë një vit më parë ose 24% më shumë.
Gjithashtu, eksportet bujqësore kanë shënuar rritje edhe në vlerë. Me bazë vjetore eksportet u rritën me 46,3 milionë euro. Në fund të qershorit 2022 eksportet e produkteve bujqësore shënuan vlerën e 227,5 milionë eurove, kundrejt 181,2 milionë eurove që ishin në vitin 2021 ose 25,5% më shumë.
Perimet e freskëta të fushës dhe serrave, frutat dhe bimët mjekësore janë produktet më të eksportuara nga grupi i ushqimeve “Made in Albania”, me një rritje të shpejtë vitet e fundit si rrjedhojë e investimeve në serra me teknologji të lartë dhe shtimit të sipërfaqes së mbjellë.
Nga Lushnja, kryeqendra e prodhimir bujqësor nisen kamiona me perime drejt Suedisë, Danimarkës, Gjermanisë, Austrisë e kudo në Evropë. Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, sot Shqipëria po konkurron me gjigantët e prodhimeve bujqësore, me Spanjën dhe Turqinë.
Rritja e të ardhurave nga eksporti ka rritur ndjeshëm potencialet e bujqësisë në zonat më produktive bujqësore të vendit si Lushnjë, Fier, Berat, ndërsa eksportet në rritje po ndikojnë në rritjen e bizneseve bujqësore, gjithashtu dhe të investime në teknologji bashkëkohore. (18 korrik 2022)
Shqipëria eksporton mbi 90 produkte në 75 vende të botës
Falë politikave të ndjekura për lehtësimin e eksporteve sot, produktet bujqësore shqiptare shkojnë në 75 vende të botës, kryesisht në Bashkimin Europian, por edhe në SHBA, Kinë apo Hong-Kong.
Harta e vendeve ku eksportohen produktet “Made in Albania” është e gjerë. Përmendim këtu shtete si Italia, Gjermania, Suedia, Republika Çeke, Anglia, Polonia, Kroacia e tjerë. Ndërsa krahas vendeve të BE-së, eksportet janë zgjeruar edhe në tregje të reja si India, ku eksporti i mollëve është rritur 60%.
Shqipëria vazhdon të jetë një ndër 20 vendet e para në botë për eksportin e domates. Ndërsa në grupin e perimeve ka edhe produkte të veçanta me rritje që shkon mbi 80%, siç është speci dhe kastraveci. Ndërkaq, kërkesa nga tregu i huaj po zgjerohet edhe për produktet e tjera të freskëta të stinës, siç janë patëllxhani, lakra, karrota e tjerë.
Sot janë 90 produkte që po identifikohen për të marrë certifikatën e e origjinës, një element ky i rëndësishëm për të çuar përpara eksportin shqiptar. (16 korrik 2022)
Rritja gjatë vitit 2022 për shkak të investimeve në infrastrukturë, magazinim dhe financim të drejtëpërdrejtë të fermerëve
Bujqësia do të vijojë rritjen gjatë vitit 2022, e shtyrë nga zgjerimi i sipërfaqeve të mbjella me perime, investimet në zinxhirin e magazinimit dhe eksportit si dhe rritjes së kërkesës së jashtme për prodhimet shqiptare.
Pavarësisht situatës së krizës, eksportet bujqësore shqiptare, si prioritet i qeverisjes vazhdojnë të jenë tregues i qëndrueshëm ekonomik i vendit.
Ekspertë të bujqësisë shpjegojnë se rritja e prodhimit vendas dhe cilësisë si dhe modernizimi i teknologjive në fermat blegtorale, bujqësore dhe agro-përpunim janë faktorët kryesorë që sollën rritje të eksporteve dhe ulje të pjesshme të importeve.
Shifrat dëshmojnë qartë se prodhimet bujqësore shqiptare janë cilësore dhe konkurrojnë në tregjet e vendeve të Bashkimit Europian.
Ministria e Bujqësosë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se, politikat që ka ndjekur në ndihmë të bujqësisë dhe zhvillimit rural, po i japin frytet e tyre. Stimulimi dhe forcimi i pikave të grumbullimit si hallka kyçe mes fermerit dhe tregut po jep rezultate. Po kështu edhe mbështetjen përmes Skemës Kombëtare, Programit IPARD, heqjen e TVSH-së për imputet bujqësore, heqjen e TVSH-së për makineritë dhe investime të tjera në infrastrukturën ujitëse e kulluese.
Falë përkushtimit dhe mbështetjes financiare të qeverisë dhe fondeve nga programi i BE-së IPARD II, sot 175 pikat e grumbullimit, kanë arritur të ketë një strukturë moderne, me standarde të larta që eksportojnë prodhime bujqësore të freskëta në tregjet europiane, mbi bazën e kontratave të parapërcaktuara.
Rritja e qëndrueshme e eksporteve është shembull kuptimplotë i zhvillimit të sektorit të bujqësisë, ndërsa objektiv i qeverisë është një miliard eksporte të kombinuara, në bujqësi dhe peshkim, brenda kësaj dekade.
Injektimi i mekanizmave mbështetës për zhvillimin rural të vendit mbështesin rritjen e qëndrueshme të bujqësisë dhe po nxisin angazhimin e të rinjve në këtë sektor.
Shpërndarja e naftës, pa taksa, për fermerin në mekanizimin e punëve në bujqësi, Skema Kombëtare me një fond prej 3,7 miliardë lekë nga buxheti i shtetit për 13 masat mbështetëse, stimulimi dhe forcimi i pikave të grumbullimit si hallka kyçe mes fermerit dhe tregut kanë dyfishuar sipërfaqen e tokës së punuar nga 120 000 ha që ishte në 2013, sot në 270 000 ha tokë të punuar në Shqipëri.
Heqja e TVSH-së për imputet bujqësore, heqja e TVSH-së për makineritë dhe investime të tjera në infrastrukturën ujitëse e kulluese dhe atë të rrugëve rurale, kanë lehtësuar kostot për fermerin dhe daljen më shpjet në treg të prodhimeve bujqësore. (15 korrik 2022)
Shqipëria vendi i parë në rajon për tërheqjen e fondeve nga BE
Pas disbursimit me sukses të IPARD I dhe II, BE ka miratuar IPARD III me 146 milionë euro për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale shqiptare.
Të gjitha këto fonde, bashkë me garancinë sovrane që ka vënë në dispozicion qeveria për kreditimin e bujqësisë, e bëjnë buxhetin e vitit 2022 të pakrahasueshëm me buxhetin e 2021.
Mbështetur në treguesit statistikorë, bujqësia do të vijojë rritjen gjatë vitit 2022, e shtyrë nga zgjerimi i sipërfaqeve të mbjella me perime, investimet në zinxhirin e magazinimit dhe eksportit, si dhe rritjes së kërkesës së jashtme për prodhimet shqiptare.
Sipas ekspertëve, investimet në zinxhirin e përpunimit të perimeve dhe frutave janë një tjetër hallkë e nxitjes së eksporteve./ (11 korrik 2022)
Kjo përmbledhje është një përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij botimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.