Bashkia e Përmetit në jug të Shqipërisë grumbullon rreth 1,700 tonë mbetje në vit dhe pothuajse vetëm një e treta e tyre mund të riciklohet.
Por, qyteti ka hedhur një hap të madh përpara me hapjen e Qendrës së re të Rikuperimit të Materialeve të Riciklueshme, financuar nga projekti i BE-së “BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Qytete të Jetueshme” në bashkëpunim me Gjermaninë.
Qendra, e ndërtuar me ekspertizën e GIZ, do të grumbullojë, ndajë dhe presojë materiale si plastika, letra dhe metali, duke i mbajtur larg landfilleve, lumenjve dhe natyrës.
Këto materiale të riciklueshme mund të shiten më pas tek industria e riciklimit, duke ndihmuar bashkinë të mbulojë kostot operative dhe madje të gjenerojë të ardhura.
Ky investim mbron mjedisin dhe shëndetin publik, ndërsa mbështet Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, veçanërisht në kuadër të Kapitullit 27 – Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike.
Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të qendrës ishin ambasadori i BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato, ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, drejtori i Bashkëpunimit për Zhvillim, Iven Schad, dhe Christine König nga Komisioni Europian.
Kryebashkiakja e Përmetit, Alma Hoxha u shpreh se kjo qendër nuk është thjesht një investim për menaxhimin e mbetjeve, por një hap i madh drejt një kulture të re mjedisore për Përmetin.
“Kur puna bëhet me vizion, me partnerë të mirë dhe me përkushtim ndaj njerëzve, rezultatet janë të prekshme”, shtoi ajo.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, nënvizoi se ky është modeli i duhur i bashkëpunimit midis qeverisë, partnerëve ndërkombëtarë dhe pushtetit vendor, që sjell rezultate konkrete për qytetarët.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh nga ana e tij, se Përmeti po tregon se si mund të duket e ardhmja e ekonomisë qarkulluese në Shqipëri.
“Kjo qendër e re mban mbetjet larg lumenjve dhe landfilleve, krijon mundësi ekonomike dhe mbështet rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së”, shtoi ai.
“Gjithashtu qendra tregon se kur komunitetet lokale, BE-ja dhe partnerët tanë punojnë së bashku, ndryshimi bëhet realitet”, theksoi Gonzato.
Gonzato u shpreh se këto projekte vijnë në kuadër të negociatave të Shqipërisë me BE-në dhe grup-kapitullit të mjedisit, që është edhe më i vështiri.
“Shqipëria ka hapur 5 nga 6 grup-kapitujt që duhet të negociojë me BE. Dhe grup-kapitulli fundit që u hap përfshin gjithçka që ka të bëjë me ndryshimet klimatike dhe mjedisin. Ky është kapitull shumë i ndërlikuar me disa objektiva të qarta dhe ambicioze”, tha Gonzato.
Ambasadori theksoi se, deri në vitin 2036, në Shqipëri 65% e mbetjeve duhet të riciklohen dhe prandaj shtoi ai duhet të nisë puna që tani. “Që tani duhet të fillojmë dhe të ndryshojmë edhe mendësinë e qytetarëve”, tha ai.
Gonzato theksoi se projekte për menaxhimin e mbetjeve do të shtrihen edhe në Gjirokastër, Korçë, por edhe në zona të tjera.
Ndërkohë, në kuadër të projektit të Bashkimit Evropian “BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Qytete të Jetueshme” është hapur thirrja e quajtur SUP2LOOP, që mbështet inovacionin e sektorit privat për të përmbushur objektivat mjedisorë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Projekti “BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Ekonomia Qarkulluese për Zhvillimin Urban të Qëndrueshëm” do të mbështesë transformimin e kuadrit ligjor të Shqipërisë dhe zbatimin e strategjive të Kapitullit 27 – mjedisit, në përputhje me direktivën e BE-së, duke shërbyer si një shembull për të gjithë rajonin dhe më gjerë.
Projekti ka nisur në vitin 2023. Me financim 14.6 milionë euro, projekti do të ndihmojë Shqipërinë të zvogëlojë mbetjet dhe të kalojë drejt modelit të ekonomisë qarkulluese. (22 tetor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.