Në Tiranë mbahet përgjatë dy ditëve takimi i 20-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit. Takimi u bashkëkryesua nga kreu i grupit parlamentare të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe Marco Tarquinio, kryetar i delegacionit të Parlamentit Europian.

Nëntë deputetë të Parlamentit Evropian, pjesë e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, janë në Shqipëri për të vlerësuar përparimin e vendit drejt anëtarësimit në BE.

Tarquinio u shpreh në fjalën e hapjes së takimit se Parlamenti Europian do të vazhdojë të ndihmojë Kuvendin e Shqipërisë, pasi Shqipëria është në pjesën e fundit të shtegut që çon në anëtarësim në BE.

“Ne do të vazhdojmë që bashkarisht që njerëzit të jetojnë një jetë më të mirë”, u shpreh ai, ndërsa vlerësoi si kyçe vijimin e bashkëpunimit. “Parlamenti Europian ka vendosur që të themelojë antenën e Ballkanit Perëndimor në Tiranë, në këtë kryeqytet të shkëlqyer në këtë pjesë të Europës”, tha Tarquinio duke shtuar se anëtarësimi do të jetë fruti i përpjekjeve të përbashkëta.

Bashkëkryetari i komitetit, kreu i grupit parlamentar të mazhorancës, Taulant Balla deklaroi se Shqipëria ndodhet në momentin më të rëndësishëm të rrugës drejt anëtarësimit në BE. 

“Tre vite pas hapjes zyrtare të negociatave, Shqipëria ndodhet në fazën më të avancuar të procesit të saj integrues. Në më pak se një vit, vendi ynë ka hapur pesë nga gjashtë grup-kapitujt e negociatave, përfshirë shtetin e së drejtës, tregun e brendshëm, konkurrueshmërinë, agjendën e gjelbër dhe politikat e jashtme. Ky është një ritëm që rrallëherë është regjistruar në historinë e zgjerimit të BE-së dhe është dëshmi e qartë e gatishmërisë së Shqipërisë për të ecur me shpejtësi, përgjegjësi dhe besueshmëri”, u shpreh Balla.

Ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato nga takimi i 20-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–BE theksoi se qeveria shqiptare ka një agjendë tejet ambicioze për integrimin në Bashkimin Europian.

“Kjo është një ambicie e të dyja palëve, pra anëtarësimi në BE mbetet një objektiv kombëtar i përbashkët dhe gëzon mbështetje të gjerë në gjithë spektrin politik. Kjo është një çështje shumë rëndësishme sepse në fakt anëtarësimi është një proces shndërrues që kërkon angazhim dhe përkushtim nga të gjithë sektorët e shoqërisë dhe përfaqësuesit e tyre të zgjedhur”, nënvizoi Gonzato.

Deputetja e Partisë Demokratike të opozitës, zëvendëskryetare e delegacionit shqiptar pranë komitetit, Jorida Tabaku theksoi rëndësinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se e ardhmja e vendit është në BE, por mënyra se si duhet të zhvillohet procesi ka nevojë për përmirësim.

Ajo shprehu shqetësimin për mungesën e transparencës dhe përfshirjes së opozitës, duke theksuar se, ndërsa në letër Shqipëria ka hapur kapituj, në realitet procesi ka mungesë të diskutimit të gjerë dhe të gjithpërfshirjes, duke lënë jashtë parlamentin, shoqërinë civile, biznesin dhe grupet e interesit.

Sipas saj, integrimi nuk është statistikë dhe nuk mund të reduktohet në hapjen e kapitujve, por duhet të reflektojë ndryshime të prekshme dhe reforma reale që ndikojnë në jetën e qytetarëve.

Komiteti Parlamentar i Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri (KPSA) është krijuar në bazë të vendimit të Konferencës së Presidentëve të Parlamentit Evropian të datës 21 janar 2010 dhe vendimit të Kuvendi të Shqipërisë i datës 26 mars 2010.

Detyrat e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri janë shqyrtimi i të gjitha aspekteve të marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë dhe, në veçanti, zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Komiteti mblidhet dy herë në vit: një herë në Tiranë dhe një herë në Bruksel ose Strasburg.

Anëtarët e Komitetit (pala shqiptare dhe ajo e BE-së) diskutojnë tematika që kanë të bëjnë me shtetin ligjor, korrupsionin, përshtatjen e politikës së jashtme me atë të BE si dhe miratojnë rakomandimet. Rekomandimet do të konsiderohen të miratuara nëse marrin mbështetjen e shumicës së anëtarëve të delegacionit të Parlamentit Evropian dhe të delegacionit të Parlamentit të Shqipërisë të pranishëm në takim. (28 tetor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.