Kompania shqiptare e bimëve mjekësore zgjeron kapacitetet
Këshilla për Bizneset e Vogla, programi i BERZH, financuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet EU – Western Balkans Enterprise Development & Innovation Facility (EDIF) ka mbështetur një sërë ndërmarrjesh për të lehtësuar proceset e punës. Kështu, rast suksesi është ai i kompanisë shqiptare që operon në grumbullimin dhe përpunimin e bimëve mjekësore. Kjo sipërmarrje hartoi planin e biznesit me fokus investimet e reja për zgjerimin e kapacitetit të procesimit, zhvillimin e linjave të reja të biznesit si dhe transformimin në biznes të qëndrueshëm për investimet në sistemet e energjisë së rinovueshme bazuar në teknologjinë fotovoltaike./ (7 nëntor)
Vera shqiptare rrit standardet për eksport
Me financimin e Bashkimit Evropian, programi për bizneset e vogla dhe të mesme dha mbështetje financiare edhe për kantinën e prodhimit të verës shqiptare “Arbëri” në Mirditë, rreth 150 kilometra në verlilindje të Tiranës.
Kjo kompani u mbështet në në rrugën drejt transformimit dixhital. Nëpërmjet një sistemi softuerik të përshtatur sipas nevojave të kompanisë, mundësohet rritje e eficiencës së punës, menaxhimit dhe kontrollit më të mirë të proceseve të prodhimit si dhe vendimmarrje më e shpejtë dhe efikase.
Kantina jo vetëm prodhon dhe shet për tregun shqiptar, por është një nga kompanitë e rëndësishme shqiptare që eksportojnë në tregje të huaja.
Rritja e eksporteve shqiptare është edhe ndër synimet e projektit në kuadër të implementimit të komponentit të asistencës teknike për SME-të të Programit për zhvillimin e sektorit të Turizmit, financuar nga Bashkimi Europian./ (7 nëntor)
BE mbështet Shkollën e Integrimit Evropian në Shqipëri
Delegacioni i BE-së njoftoi se vijon të mbështesë Shkollën e Integrimit Evropian në Shqipëri e cila nisi edicionin e saj të 8-të.
Këtë vit, 38 pjesëmarrës nga administrata, pushteti vendor, OJQ-të, mediat dhe universitetet do të studiojnë dhe do të kontribuojnë aktivisht në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Në lidhje online, drejtuesja e Komisionit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Michela Matuella informoi pjesëmarrësit për gjendjen e negociatave të anëtarësimit dhe mbi hapat e ardhshëm.
Ajo i inkurajoi ata të kontribuojnë në zbatimin e reformave shumë të nevojshme dhe rikonfirmoi mbështetjen e BE-së për anëtarësimin e Shqipërisë./ (7 nëntor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.