Qendër pritjeje në Shëngjin me një fluks deri 36 mijë persona

Në një deklaratë për median, pas takimit në Romës mes kryeministrave Rama dhe Meloni, kjo e fundit theksoi se do të ngrihet qendër pritjeje për migrantët në portin e Shëngjinit, 80 kilometra në veriperëndim të Tiranës.

Meloni përmendi se janë gati 3 000 persona sipas një regjimi të caktuar, ndërsa fluksi vjetor mund të arrijë deri në 36 mijë persona.

Në portin e Shëngjinit, Italia do të angazhohet me procedurat e zbarkimit dhe të seleksionimit, do të realizojë një qendër të pritjes dhe screening.

Protokolli i firmosur mes dy kryeministrave ka kornizën politike dhe juridike të bashkëpunimit, pastaj marrëveshje të tjera do ta ndjekin më pas.

Bashkëpunimi pritet të jetë operativ në pranverën e vitit 2024./ (9 nëntor)

Meloni: Shqipëria konfirmohet mike e Italisë dhe BE-së

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni deklaroi se marrëveshja e nënshkruar pasuron miqësinë midis dy kombeve në partneritet strategjik me njëri-tjetrin.

“Ky bashkëpunim bëhet akoma më i frytshëm nga iniciativa në lidhje me ndërmarrjen e hapave të përbashkëta sa i përket migrimit”, tha Meloni.

“Sepse ky fenomen nuk përballohet vetëm dhe kemi qenë në këtë ekuacion midis trajtimit brenda BE dhe jashtë saj”, tha ajo.

Meloni shtoi se “Shqipëria, jo vetëm që konfirmohet një mike e Italisë, por edhe e BE-së”.

“Edhe pse nuk është formalisht pjesë e BE, por është kandidate për hyrjen në BE, Shqipëria ka një qasje sikur të jetë tashmë një vend anëtar i BE-së”, tha Meloni./ (9 nëntor)

Rama: Ndihmë për situatën e vështirë të Italisë

Kryeministri Edi Rama në daljen e përbashkët për shtypin në Romë me kryeministren Meloni u ndal tek borxhi që Shqipëria i ka Italisë, popullit dhe institucioneve italiane për atë që kanë bërë për shqiptarët që nga dita e parë që refugjatët e viteve ’90 mbërritën në Itali.

“Nëse Italia thërret, Shqipëria përgjigjet”, u shpreh ai.

“Neve na takon të përgjigjemi kur mund të gjendemi për të ndihmuar dhe në këtë rast, do të thotë për të ndihmuar në një situatë që është e vështirë për Italinë dhe e vërteta është që gjeografia, është kthyer në atë që quhet mallkimi për Italinë sepse kur hyhet në Itali zëre se ke hyrë në Evropë dhe në BE, por kur bëhet fjalë për të menaxhuar këtë hyrje si BE ne e dimë shumë mirë se si zhvillohen gjërat”, tha Rama./ (9 nëntor)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.