Rama: Shqipëria duhet dhe mundet të bëhet Europa e Ballkanit
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama një ditë pas pjesëmarrjes në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel u shpreh optimist se Shqipëria duhet dhe mundet të bëhet Europa e Ballkanit.
Rama theksoi se “ne duam të jemi një vend europian në Ballkan dhe jo një shtet ballkanik në BE”. “ Ndryshimi i Shqipërisë nga një vend i prapambetur, në një vend që funksionon si shtet anëtar i BE-së është po aq i rëndësishëm, mbase më i rëndësishëm se sa vetë anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Janë të lidhura pazgjidhshmërisht bashkë, për këtë arsye pozicioni ynë është ky”, theksoi Rama.
Kryeministri theksoi se mbetet optimist që ngërçi me Greqinë do të kapërcehet. “Por mbetem i të njëjtës bindje që ndodh apo jo, Shqipëria praktikisht nuk vonohet asnjë ditë, jo muaj e vite, se ndërkohë do të vazhdojmë dhe bëjmë detyrat tona”, tha Rama./ (14 dhjetor)
BE mbështetje projektit të monitorimit të pronësisë së medias në Shqipëri
Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato mori pjesë në prezantimin e Monitorimit të Pronësisë së Medias 2023 për Shqipërinë, zhvilluar nga Regjistri Global i Mediave dhe BIRN, me financimin e BE-së si pjesë e një qasjeje rajonale.
“Liria e shprehjes është në qendër të politikës së zgjerimit të BE-së dhe transparenca e pronësisë së medias është e rëndësishme për garantimin e lirisë së saj”, tha ambasadori Gonzato./ (14 dhjetor)
BE mbështetje projekteve të të rinjve në bujqësi
Politikat e mbështetjes falë programit IPARD të financuar nga Bashkimi Evropian, po bëjnë që të rinjtë në Shqipëri të kthejnë vëmendjen tek bujqësia, duke ngritur sipërmarrje të reja, modele të zhvillimit në sektorin rural.
Në programin IPARD janë 250 investime të realizuara nga sipërmarrës në moshë të re dhe mbi 50% e njësive agroturistike në të gjithë vendin janë ndërtuar nga të rinj”.
Krahas projekteve të tjera për përfshirjen e të rinjve në jetën sociale dhe ekonomike të vendit, programet e BE luajnë rol të rëndësishëm edhe në fushën e bujqësisë dhe agroturizmit./ (14 dhjetor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.