Bajram Begaj mori zyrtarisht të dielën detyrën e presidentit të Republikës së Shqipërisë, ndërkohë që në ceremoninë e betimit renditi disa nga prioritet kryesore të mandatit të tij pesëvjecar, që nga procesi i bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri te kriza e krijuar nga agresioni rus në Ukrainë.
Ceremonia e betimit dhe e marrjes së detyrës nga presidenti i ri
Ish-gjenerali i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, u betua në parlament si Presidenti i ri i Republikës. Në seancën e posaçme parlamentare, me praninë e trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, mungoi një pjesë e deputetëve të opozitës. Kryeparlamentarja Lindita Nikolla lexoi formulën e betimit dhe Begaj u betua me dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë.
Në fjalën e tij, Kreu i ri i Shtetit theksoi se po e merr këtë përgjegjësi në një moment historik si është nisja zyrtare e bisedimeve me Bashkimin Evropian. Ai premtoi se nuk do të qëndrojë neutral ndaj asnjë partie vendos interesat e veta politike mbi interesin e kombit.
”Unë e njoh, e mbështes dhe e respektoj punën e qeverisë. Por, përpjekja dhe dëshira nuk mund të justifikojnë asnjë dështim. Unë e njoh, e mbështes dhe e respektoj opozitën shqiptare dhe vlerat që ajo përfaqëson, por do të dëshiroja që asnjëherë të mos shihet konflikti përpara bashkëpunimit”, deklaroi presidenti Begaj.
Begaj u shpreh se do të mbështesë gjithmonë bashkëpunimin mes forcave politike.
“Do të këmbëngul dhe mbështes përherë për bashkëpunimin mes forcave politike. Ne kemi nevojë të ridimensionojmë besimin publik. Ne nuk duhet të shmangemi nga gabimet e së shkuarës dhe të së tashmes dhe duhet të ndërtojmë bashkarisht ura mes shtetit dhe qytetarëve”, nënvizoi Kreu i Shtetit.
Ndërkohë, mjediset e godinës së Presidentit të Republikës u zhvillua edhe ceremonia zyrtare e kalimit të detyrës nga ish-presidenti tashmë, Ilir Meta. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha i dorëzoi presidentit Begaj një kopje të Kushtetutës. Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve në këtë ceremoni, Begaj theksoi se “do të jem shërbëtor i popullit tim, përfaqësues i unitetit tonë kombëtar, mbështetës i palëkundur i rrugëtimit euro-atlantik për të gjithë shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Luginës së Preshevës dhe kudo që ata jetojnë e punojnë”.
Begaj u angazhua për të punuar bashkarisht për Shqipërinë dhe për konsolidimin e institucioneve. Kreu i ri i shtetit foli edhe për një strategji të re për sigurinë kombëtare duke përmendur agresionin rus ndaj Ukrainës. “Angazhimi diplomatik në kuadër të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të dënuar agresionin rus dhe uniteti i klasës politike tregoi se ne jemi bashkë për kauza të mëdha. Vëmendja ndaj çështjes së sigurisë kombëtare do të jetë gjithmonë e madhe, në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët e ngarkuar nga ligji”, deklaroi ai. (24 korrik 2022)
BE, SHBA dhe OSBE urojnë presidentin Begaj
Përfaqësues të lartë të BE-së, zëvendëspresidenti i BE-së, Joseph Borrell dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel uruan presidentin e Republikës, Bajram Begaj.
“Mandati juaj fillon pasi vendi juaj ka arritur një moment historik në rrugën e tij drejt BE-së. Ne mezi presim të vazhdojmë të ecim përpara në rrugën tonë të përbashkët në BE. Ne jemi së bashku më të fortë Mezi presim të ndërtojmë së bashku të ardhmen tonë të përbashkët”, theksuan ata.
Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëris, Yuri Kim u shpreh se “ne mezi presim të punojmë me presidentin Begaj për thellimin e partneritetit të qëndrueshëm SHBA-Shqipëri, forcimin e demokracisë së Shqipërisë dhe mbrojtjen e paqes dhe sigurisë si aleatë të NATO-s”.
Begaj mori një urim edhe nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë. “Urimet më të mira Bajram Begaj, i cili nis sot mandatin si president i Shqipërisë, institucionit të ngarkuar me përgjegjësinë madhore të përfaqësimit të unitetit të popullit. OSBE pret me kënaqësi një bashkëpunim të ngushtë e domethënës”, theksoi OSBE. (24 korrik 2022)
Ish-gjenerali në krye të shtetit
Presidenti i tetë i Republikës së Shqipërisë vjen pas një karriere ushtarake. Më 4 qershor ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj, kandidati i propozuar nga mazhoranca qeverisëse, u zgjodh nga parlamenti si president i ri i Republikës me 78 vota pro, katër kundër dhe një abstenim. Përpara se të merrte detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor dhe profesori i asocuar, Bajram Begaj, për një periudhë tre vjeçare, ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes. Në vitin 1989, gjeneralmajor Begaj përfundoi studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega Mjekësi e Përgjithshme. Gjatë karrierës së tij ushtarake, gjeneralmajor Bajram Begaj ka shërbyer në pozicione të ndryshme drejtuese në Forcat e Armatosura. Gjeneralmajor Begaj ka ndjekur kualifikime dhe specializime të ndryshme në fushën ushtarake dhe atë mjekësore, në institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu ka ndjekur kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në SHBA, Kursin e Lartë Ndërkombëtar të Menaxhimit të Mbrojtjes, pranë Institutit të Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në SHBA, Seminarin e Lartë Ekzekutiv pranë Qendrës “Marshall”, Gjermani, si dhe kurse e kualifikime të tjera ushtarake.
Bajram Begaj është vlerësuar me medalje të ndryshme për arritje gjatë karrierës se tij ushtarake. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë. (22 korrik 2022)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.