Bruksel – Parlamenti Evropian qëndron fort në mbështetje të multilateralizmit dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe çdo përpjekje për të minuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Danimarkës dhe Grenlandës e konsideron shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara, thuhet në deklaratën e përbashkët të Konferencës së Presidentëve të PE.
– Parlamenti Evropian u bën thirrje Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian të përcaktojnë mbështetje konkrete dhe të prekshme për Grenlandën dhe Danimarkën, duke respektuar parimet dhe të drejtën e BE-së, të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e NATO-s, shtohet në deklaratën e Konferencës së Presidentëve, që përbëhet nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola dhe liderët e tetë grupeve parlamentare në PE.
Udhëheqësit e grupeve në Parlamentin Evropian theksojnë se “i dënojnë pa mëdyshje deklaratat” e dhëna nga Administrata e presidentit amerikan Donald Trump në lidhje me Grenlandën, të cilat përbëjnë “sfidë të qartë ndaj së drejtës ndërkombëtare, parimeve të Kartës së OKB-së dhe sovranitetit dhe integritetit territorial të një aleati të NATO-s”.
– Deklarata të tilla janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në marrëdhëniet mes partnerëve demokratikë, theksohet në deklaratën e lëshuar pas takimit të mbrëmshëm të Konferencës së Presidentëve, në të cilin mori pjesë edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë Kaja Kallas.
Në deklaratë shtohet se siguria e Arktikut është prioritet strategjik për Bashkimin Evropian dhe Parlamenti Evropian është i përkushtuar fort ndaj mbrojtjes së saj.
– Strategjia e BE-së për Arktikun shkon përtej shqetësimeve të thjeshta të sigurisë dhe përkushtimi ynë për të forcuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe bashkëpunimin me qytetarët e rajonit është i palëkundur. Mbretëria e Danimarkës, duke përfshirë edhe Grenlandën, është anëtare e NATO-s dhe mbulohet plotësisht nga garancitë kolektive të sigurisë së Aleancës. Parlamenti Evropian do të vazhdojë të forcojë kapacitetet mbrojtëse evropiane dhe të sigurojë që vendet anëtare të BE-së t’i respektojnë detyrimet e tyre ndaj NATO-s, përfshirë edhe përmes investimeve të qëndrueshme në mbrojtje dhe një prani të fortë në rajonin arktik, theksojnë liderët e PE.
Ata shtojnë se siguria e Arktikut është e garantuar në kuadër të NATO-s, ndërsa Danimarka ka marrëveshje me partnerët kyç, përfshirë edhe SHBA-në, për mbrojtjen e rajonit.
– Vendimet që kanë të bëjnë me Danimarkën dhe Grenlandën u përkasin vetëm Danimarkës dhe Grenlandës, në përputhje me marrëveshjet përkatëse kushtetuese dhe marrëveshjet mes Danimarkës dhe Grenlandës, thuhet në deklaratë.
Në të rikujtohet se në vitin 1916, SHBA përmes një marrëveshjeje me Danimarkën konfirmuan sovranitetin e plotë danez mbi Grenlandën.
– Me këtë marrëveshje, SHBA pranuan se i gjithë Grenlanda me të drejtë përbën territor danez. Përpjekjet e jashtme për të ndryshuar status quo-në janë të papranueshme, shtohet në deklaratën e Konferencës së Presidentëve të PE. (15 janar 2026)
Foto: Parlamenti Evropian
go to the original language article
