Shkup – Ambasadori i Qipros në Maqedoninë e Veriut, Andreas Fotiu, sot, para seancës së përbashkët të Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane dhe Komisionit parlamentar për çështje evropiane, i paraqiti prioritetet e Qipros si kryesuese aktuale e BE-së për gjashtë muajt e ardhshëm duke theksuar se Qipro do të mbetet e përkushtuar ndaj dialogut të rregullt dhe të hapur me Ballkanin Perëndimor, ndërsa Maqedonia e Veriut mbetet pjesë e procesit të zgjerimit me BE-në.
Fotiu theksoi se presidenca qipriote, motoja e së cilës është „Union autonom i hapur ndaj botës“, do të thotë se Bashkimi Evropian duhet të jetë autonom, sepse një Union më autonom do ta tregojë forcën e brendshme të nevojshme për bashkëpunim me partnerët e jashtëm sa herë që është e mundur, ndërsa njëkohësisht do të veprojë në mënyrë të pavarur kur është e nevojshme duke e respektuar të drejtën dhe rendin ndërkombëtar.
Ambasadori i Qipros theksoi se Ballkani Perëndimor mbetet rajon me rëndësi strategjike për BE-në, ndërsa përfshirja e Unionit me Maqedoninë e Veriut do të vazhdojë me një politikë kredibile të bazuar në merita.
– Presidenca qipriote i kushton vëmendje dialogut të rregullt dhe të hapur me Ballkanin Perëndimor, ndërsa Maqedonia e Veriut mbetet pjesë e procesit të zgjerimit të Unionit. Qipro e njeh angazhimin e Maqedonisë së Veriut për avancimin e reformave dhe në përafrimin me standardet evropiane dhe e inkurajon përpjekjen e vazhdueshme dhe të pandërprerë të vendit në këtë drejtim – tha Fotiu.
Ambasadori i paraqiti pesë shtyllat e kryesimit qipriot me Unionin, sipas të cilave, theksoi ai, Qipro do të fokusohet në autonominë përmes sigurisë dhe mbrojtjes, autonominë përmes konkurrueshmërisë, hapjen ndaj botës, vlerat e përbashkëta dhe negociatat për buxhetin për kornizën e ardhshme financiare të BE-së.
Ministri i sapoemëruar për çështje evropiane Bekim Sali në fjalimin e tij në seancë theksoi se integrimi evropian i vendit nuk është proces administrativ, as agjendë teknike, por përcaktim civilizues, i cili gëzon mbështetje shoqërore.
– Për ne, integrimi evropian është orientim i qartë shtetëror, që i bashkon pushtetin dhe opozitën, institucionet dhe qytetarët. Në kohë të trazuara serioze gjeopolitike, politika e zgjerimit nuk është opsion, por domosdoshmëri, ajo është edhe investim në një BE stabile dhe autonome. Në këtë pamje Maqedonia e Veriut është pjesë e zgjidhjes – tha Sali.
Ai theksoi se vendi në vazhdimësi tregon se është partner kredibil dhe i përgjegjshëm me BE-në.
Sipas tij, procesi i anëtarësimit nuk është i lehtë, prandaj qasjen ndaj reformave vendi ynë nuk e trajton si detyrim të imponuar nga jashtë, por si çështje të brendshme. Kjo, thotë Sali, është zgjedhja jonë e vetëdijshme politike për t’i forcuar shtetin dhe kapacitetet institucionale.
– Për ne, zgjerimi i BE-së është pjesë e pandashme e kësaj vizioni. Evropa nuk mund të jetë e plotë nëse Ballkani Perëndimor mbetet në margjina, Maqedonia e Veriut është e gatshme ta mbyllë atë boshllëk politik evropian dhe të bëhet pjesë e atyre marrëveshjeve. Prandaj sot dërgojmë një mesazh të qartë – Maqedonia e Veriut është e gatshme dhe ky është moment i pjekurisë politike si të Maqedonisë së Veriut ashtu edhe të BE-së, moment që as ne e as BE-ja nuk guxon ta humbasë – theksoi Sali. (26 janar 2026)
go to the original language article
