Qendra Komunitare për shërbimet e aftësisë së kufizuar është një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga World Vision Albania në bashkëpunim me bashkinë e Prrenjasit, 70 kilometra në juglindje të Tiranës.
Qëllimi është t’u ofrohen fëmijëve me nevoja të veçanta mundësi për të realizuar potencialin e tyre të plotë. Ata kanë mundësinë të marrin shërbime të integruara të specializuara në shtëpi, nëpërmjet një njësie të lëvizshme specialistësh, shërbim të integruar të specializuar në një qendër komunitare dhe shërbime të integruara të specializuara dhe praktika arsimore gjithëpërfshirëse në shkolla nëpërmjet njësive të trajnuara të lëvizshme dhe qendrës komunitare të specialistëve, mësuesve mbështetës dhe stafit psikosocial në shkolla.
Fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara mbështeten në nevojat e tyre të veçanta, duke përfshirë mjete të posaçme didaktike, ushqime dhe materiale higjienike ose pajisje speciale.
Financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga World Vision Albania, Qendra Komunitare ka psikologë, logopedë, punonjës socialë dhe fizioterapistë që ndihmojnë fëmijët dhe të rinjtë me nevoja të veçanta, me autizëm, me sindromën Down etj.
Mjediset ndodhen pranë spitalit të qytetit, por Qendra ka edhe një njësi të lëvizshme, e cila viziton fëmijët me nevoja të veçanta në shtëpitë e tyre në fshatrat e Prrenjasit.
“67 fëmijë nga 2 deri në 18 vjeç marrin terapi në Qendrën Komunitare në Prrenjas, duke përfshirë tri njësi administrative si Strava, Rrajca dhe Quksi. Një herë në javë fëmijët vijnë në Qendër dhe javën tjetër ne udhëtojmë drejt shtëpive të tyre. Disa prej tyre janë në zona të largëta, ndaj përpiqemi të krijojmë një balancë për ta. Ne punojmë me terapi zhvillimore, fizioterapi dhe logopedi”, shpjegon Adelina Kokonozi, punonjëse sociale në Qendrën Komunitare për shërbimet e aftësisë së kufizuar në Prrenjas.
Nuk ka trajtime standarde për çrregullimin e spektrit të autizmit, por terapitë tregojnë mundësi për të maksimizuar aftësitë e njerëzve me autizëm. Diagnoza dhe ndërhyrjet e hershme kanë më shumë gjasa të tregojnë ndryshime pozitive për njerëzit me këtë gjendje të përjetshme.
“Fëmijët nën tre vjeç kanë përmirësime pas 3-6 muajsh terapi, por në rastet mbi 16 vjeç është më e vështirë të kemi rezultate, ndaj përpiqemi t’u mësojmë bazat”, vëren Kokonozi.
Që nga hapja e Qendrës Komunitare për shërbimet e aftësisë së kufizuar vitin e kaluar, shumëçka ka ndryshuar për qytetin e vogël, së pari, duke ndihmuar në ndërgjegjësimin për personat me nevoja të veçanta dhe duke i bërë ata të dukshëm. Fëmijët me nevoja të veçanta dhe prindërit e tyre takohen me njëri-tjetrin në Qendrën Komunitare, ku flasin dhe diskutojnë për sfidat e tyre./ (3 prill)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.