Spanja mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian

Kryeministri shqiptar Edi Rama mikpriti sot homologun e tij spanjoll, Pedro Sanchez, i cili vizitoi Tiranën, në kuadër të një turi që po zhvillon në vendet e Ballkanit. 

Kryeministri Rama vlerësoi mbështetjen pa rezerva të Spanjës në procesin e integrimit duke nënvizuar se Madridi ka qenë një nga aktorët më të zëshëm që Bashkimi Evropian të hapte negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në konferencën e përbashkët për median, Rama tha se në fokus të takimit dypalësh ishin edhe nismat rajonale, të integruara edhe me idenë e një komuniteti të ri politik evropian.

Rama nënvizoi se “jemi plotësisht të integruar kur vjen puna për të përballuar agresionin rus në Ukrainë”.

Kryeministri Pedro Sanchez e vlerësoi Rama si një mik të madh dhe si një nga politikanët më të shkëlqyer.

Ai uroi që rruga pasionante që ka nisur Shqipëria drejt BE-së me në krye Edi Ramën të jetë e suksesshme. “Nuk mund të konceptohet BE pa Ballkanin Perëndimor. Shqipëria ka pasur dhe do të ketë mbështetjen e thellë dhe të vendosur në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Spanja përkrah edhe integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe Shqipëria është një nga vendet kryesore që është në këtë rrugë”, deklaroi Sanchez.

Sanchez e cilësoi ide pozitive krijimin e komunitetit politik evropian, një dinamikë pozitive që mund të gjenerohet mes vendeve që bëjnë pjesë në BE dhe atyre që duan të anëtarësohen në BE.

Dy kryeinistrat u ndalën në disa fusha për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në infrastrukturë, turizëm, në sektorin energjetik dhe në intensifikimin e marrëdhënieve në fushën e drejtësisë./ (1 gusht 2022)

Rama mbështet Kosovën për zbatimin e marrëveshjeve

Në konferencën për shtyp me homologun e tij spanjoll, kryeministri Rama reagoi për tensionet në veri të Kosovës duke theksuar  mbështetjen për vendimin e marrë nga qeveria e Kosovës që vendosi të shtyjë zbatimin e reciprocitetit për targat dhe dokumentet e identifikimit, ID. Rama i bëri thirrje autoriteteve në Beograd dhe presidentit Aleksandër Vuçiç që të mos ushqejnë me asnjë lloj justifikimi dhe alibie me grupe të caktuara në veriun e Kosovës që për arsyen e tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshje të vlefshme. Sipas tij, marrëveshja duhet të zbatohet edhe për t’i dhënë besueshmëri dialogut mes Serbisë dhe Kosovës.

Rama tha se me kryeministrin Sanchez ka diskutuar për këtë çështje dhe pohoi se Spanja ka një pozicion të ndryshëm dhe tradicionalisht të palëvizshëm për arsye që lidhen me vetë Spanjën, por që nuk kanë të bëjnë me asnjë lloj diskriminimi apo paragjykimi ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe të drejtës së tyre.

“Situata si ajo në veri të Kosovës tregon se pse duhet Ballkani i Hhapur dhe pse Kosova duhet të vijë dhe të ulet në tryezën e Ballkanit të Hapur”, theksoi Rama./ (1 gusht 2022)

Shqipëri-Spanjë grup të përbashkët pune në luftën kundër krimit

Shqipëria dhe Spanja nënshkruan një marrëveshje dypalëshe për krijimin e një grupi të përbashkët hetimi në fushën e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar duke përdorur instrumentet e inteligjencës policore dhe hetimit që të dy vendet vlerësojnë të përshtatshme.

Marrëveshja u nënshkrua në ambientet e kryeministrisë nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi dhe ambasadori i Spanjës në Tiranë, Alvaro Renedo Zalba, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe kryeministrit të Spanjës Pedro Sanchez.

Marrëveshja mes dy vendeve tona adreson nevojën e një bashkëpunimi ndërkombëtar më ambicioz për të luftuar me efikasitet të gjitha format e krimit të organizuar, në veçanti organizatat kriminale që kanë si objekt trafikun e narkotikëve, trafikimin e qenieve njerëzore dhe pastrimin e të ardhurave të krijuara nga aktiviteti kriminal dhe terrorizmi.

Shqipëria dhe Spanja do të ngrenë grupe të përbashkëta hetimi në fushën e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar duke përdorur instrumentet e inteligjencës policore dhe hetimit që të dy vendet vlerësojnë të përshtatshme.

Kjo formë konsiderohet si një nga metodat më të avancuara të bashkëpunimit policor ndërkombëtar për të zhvilluar hetime komplekse të organizatave kriminale që operojnë në disa shtete dhe për të shkëmbyer informacion në kohë reale./ (1 gusht 2022)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.