Qyteti i Beratit, 120 kilometra në juglindje të Tiranës është zonë trashëgimie kulturore e mbrojtur nga UNESCO dhe një nga xhevahiret e Shqipërisë që tërheq mijëra vizitorë.
Bashkimi Evropian është ndër partnerët e bashkisë së qytetit në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm të zonës duke vlerësuar natyrën, traditat dhe vlerat lokale.
Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato, i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, vizituan disa nga projektet kryesore të financuara nga BE në Berat.
Projekti i parë është një urë e re rreth 280 metra mbi lumin Osum. Ura e Bilçës do të krijojë mundësi të reja për komunitetet lokale në të dy anët e lumit, do të lidhë Beratin me zonat rurale të tij të bukura dhe lehtësojë trafikun në lagjen historike të Goricës.
Qendra e Shërbimit Arsimor të Beratit, e rehabilituar nga programi ”EU4Muncipalities” është projekti që tashmë është realizuar.
Qendra ofron shërbime mbështetëse arsimore për të gjitha kopshtet dhe shkollat e qytetit, me më shumë se 5 000 fëmijë. Ajo gjithashtu ofron trajnime dhe rritje të ndërgjegjësimit për shëndetin mendor të fëmijëve për mësuesit dhe prindërit.
Kur jeni në Berat, një vizitë në kalanë e tij është e domosdoshme. Për ta bërë atë të aksesueshme për të gjithë, BE do të financojë punën për të përmirësuar aksesin në kështjellë, një hapësirë e gjallë me vlera unike arkitekturore.
“Përmes një morie projektesh në Berat, në partneritet me bashkinë ne po krijojmë mundësi të reja për rritje dhe prosperitet ekonomik, duke fuqizuar bizneset lokale dhe duke promovuar turizëm që ruan natyrën dhe kremton esencën e Beratit”, deklaroi ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato./ (3 maj)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.