Qeveria shqiptare synon rikthimin në funksion të sektorit të hekurudhave si mjet transporti me kosto më të ulët.
Transporti hekurudhor është nën fokusin e qeverisë dhe tashmë kantieri i segmentit hekurudhor nga kryeqyteti Tiranë drejt qytetit bregdetar të Durrësit, 35 kilometra në veriperëndim të Tiranës, është 70 për qind i realizuar.
Dy projekte të tjera të rëndësishme të sektorit hekurudhor, siç është Vorë-Hani i Hotit apo edhe projekti i Korridorit VIII, projekte të cilat do të jetësohen edhe falë mbështetjes së Bashkimit Evropian, janë duke ecur sipas parashikimeve.
Puna për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, me degëzim në aeroportin “Nënë Tereza”, po vijon me ritme të shpejta.
Durrësi ka portin më të madh në vend dhe njëkohësisht është destinacion i preferuar pushimesh për qytetarët e Tiranës, por edhe për vizitorët e shumtë ndërsa vendi po përjeton një boom turistik.
Numri dy i qeverisë shqiptare dhe ministrja e Transportit, Belinda Balluku e cilësoi hekurudhën Tiranë-Durrës si ”projektin e parë që do të pasohet edhe me projekte të tjera në të vijim”.
Ajo vuri në dukje se hekurudha është një nga mjetet e transportit alternativ, një nga mjetet e transportit miqësor me ambientin, por edhe me financat e qytetarit dhe një nga mjetet e transportit që vetë Bashkimit Evropian incentivon.
Nga stacioni i Tiranës deri në aeroportin “Nënë Tereza” parashikohet që koha e udhëtimit të jetë 12 minuta, me tre stacione, ndërkohë që Tiranë-Durrës përllogaritet në 22 minuta, me tetë stacione./ (22 maj)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.