Gjyqtarë dhe prokurorë të larguar për shkak të pasurisë
Reforma në Drejtësi mbushi gjashtë vite që nga miratimi unanim, më 22 korrik 2016, në Kuvendin e Shqipërisë me 140 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Pas gjashtë vitesh, Shqipëria ka Gjykatë Kushtetuese funksionale, Gjykatë të Lartë funksionale, ka Prokuror të Përgjithshëm të pranuar gjerësisht nga partitë politike, Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion (SPAK) me mbështetje maksimale, Byronë Kombëtare të Hetimit, Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë, Këshillin e Lartë Gjyqësor si dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Në kuadër të reformës në drejtësi u ngritën edhe dy institucionet më të rëndësishme, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit ose siç quhen ndryshe organet e vetingut në sistemin e drejtësisë./ (8 gusht 2022)
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë deri tani 535 vendime
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) shënoi në qershor pesëvjetorin e konstituimit të tij. 12 komisionerët e votuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, nën mbikëqyrjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), nisën zyrtarisht ushtrimin e detyrës më 17 qershor 2017, bazuar në Kushtetutën dhe Ligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Më 8 shkurt 2018, Komisioni në dhomë këshillimi mori vendimin e parë bazuar në tre kriteret e vetingut, pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin dhe deri më 17 qershor 2022, ai ka marrë 535 vendime.
Anëtarët e KPK-së kanë konfirmuar në detyrë 209 gjyqtarë dhe prokurorë, 200 shkarkime, 88 pushim/ndërprerje procesi, 35 përfundim procesi pa vendim përfundimtar si dhe tre vendime pezullim nga detyra.
Kryesisht magjistratët janë shkarkuar për shkak të mosjustifikimit të pasurisë.
Deri në fund të mandatit të Komisionit, mbeten për t’u rivlerësuar edhe 270 subjekte, me qëllim përmbylljen e vetingut të listës së plotë prej 805 subjektesh (gjyqtarë, prokurorë, ndihmëskëshilltarë ligjorë).
Pas mbarimit të mandatit pesëvjeçar të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Kuvendi ka miratuar zgjatjen me 36 muaj të afatit për funksionimin e organeve të vetingut./ (5 gusht 2022)
Hartë e re gjyqësore
Në kuadër të Reformës në Drejtësi, më 21 korrik 2022 që përkon me gjashtëvjetorin e reformës, qeveria miratoi Hartën e Re Gjyqësore.
Me hartën e re gjyqësore do të ketë 13 Gjykata të Shkallës së Parë të juridiksionit të përgjithshëm, një Gjykatë Apeli me juridiksion të përgjithshëm dhe dy Gjykata Administrative të Shkallës së Parë.
Harta e re gjyqësore u realizua pas konsultimit të gjerë të grupeve të interesit me bashkëpropozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Ministrisë shqiptare të Drejtësisë. Morën pjesë grupe ekspertësh të Këshillit të Lartë Gjyqësor, asistuar nga ekspertë të Këshillit të Evropës, por dhe nga ekspertë të tjerë ndërkombëtarë. Implementimi i Hartës së re Gjyqësore do të bëhet me faza. Më 1 shkurt do të bëhet implementimi i Gjykatës së Apelit në një gjykatë në Tiranë. Më 1 maj do jetë Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe më 1 korrik do jetë Gjykata Administrative e Shkallës së Parë.
Sipas hartuesve, Harta e re Gjyqësore do të standardizojë kohën e dhënies së vendimit, do të bëjë një ndarje të drejtë te gjyqtarët; do ulë kostot e drejtësisë dhe do ketë një short real të shpërndarjes së çështjeve tek gjyqtarët. Po ashtu, harta e re gjyqësore lë hapësirë që me rishikimin e numrit të gjyqtarëve nga KLGJ-së të shihet mundësia në të ardhmen e hapjes së degëve të gjykatave, siç e përcakton ligji./ (2 gusht 2022)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.