Gjirokastra, 200 kilometra në jug të Tiranës, është një nga shembujt më domethënës të harmonisë etnike dhe fetare në Shqipëri
Në Varosh të Gjirokastrës, destinacion ndër më të preferuarit për turizmin e trashëgimisë kulturore, vizitorët mund të shohin ende Kishën e Kryeengjëjve, me muret e saj prej guri të bardhë. Një histori që daton më shumë se dy shekuj e gjysmë, tregon për rëndësinë e veçantë që ka kjo kishë për komunitetet e qytetit.
Bashkimi Evropian zhvilloi një diskutim mbi harmoninë etnike dhe fetare në Shqipëri, pikërisht në Gjirokastër, nga ku përfaqësuesi i Urdhrit Bektashi, Baba Myrteza Shehu tregoi se kur po ndërtohej kisha, muret e ndërtuara gjatë ditës shkatërroheshin gjatë natës nga ata që ishin të pakënaqur me ndërtimin e saj.
Baba Mustafai nga Teqeja e Shtufit ngriti një tendë pranë vendit të ndërtimit dhe qëndroi aty për ta ruajtur për gati një vit, deri në përfundimin e kishës.
Duke theksuar shembullin e rrallë të harmonisë fetare në Shqipëri, ambasadori i BE-së Silvio Gonzato vuri në dukje rëndësinë e dialogut për t’ua përcjellë harmoninë fetare brezave të ardhshëm.
Gjatë diskutimit të zhvilluar tek “Obelisku”, në Gjirokastër, u hodhën ide dhe sugjerime sesi dialogët mund të kultivojnë tolerancën dhe të shmangin konfliktet.
Pothuajse njëkohësisht me Kishën e Kryeengjëjve, në Gjirokastër u ndërtua Xhamia e Pazarit, një monument kulture. Ato qëndrojnë në vende të ndryshme, duke e “ruajtur” Gjirokastrën dhe duke shpalosur diversitetin, trashëgiminë dhe historinë e saj./ (19 qershor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.