Shqipëria nënshkroi me Bashkimin Evropian grantin më të madh të BE deri më sot.
BE ofroi 136,2 milionë euro për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani I Hotit, ndërsa e cilësoi nënshkrimin si moment historik të rëndësishëm për Shqipërinë.
Ky projekt transformues do të rinovojë 120 km infrastrukturë hekurudhore dhe 12 stacione dhe do ta bëjë udhëtimin me tren më të shpejtë, më të sigurt dhe më të gjelbër.
Me një kosto totale të projektit prej 373,1 milionë euro, përfshirë elektrifikimin, ky investim tregon përkushtimin e BE-së për zhvillimin e Shqipërisë.
I financuar përmes granteve dhe huave të Kornizës së Investimit në Ballkanin Perëndimor (ËBIF) nga BERZH dhe Bankës Evropiane për Zhvillim, projekti do të rilidhë Shqipërinë me rajonin dhe rrjetet e BE-së, do të përmirësojë mënyrën se si shqiptarët udhëtojnë dhe do të promovojnë turizmin përmes transportit efikas dhe miqësor ndaj klimës.
“Lidhja e njerëzve është thelbi i idesë evropiane. Investimi më i madh i BE-së në Shqipëri do të rilidhi shqiptarët me pjesën tjetër të rajonit dhe Evropën nëpërmjet trenit”, u shpreh gjatë ceremonisë ambasadori I BE në Tiranë, Silvio Gonzato.
Sipas tij, investimi është pjesë e strategjisë së BE për të shtrirë Rrjetin e Transportit Trans-Europian të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke nxitur udhëtimet e brendshme dhe turizmin ndërkombëtar dhe duke mbështetur zhvillimin socio-ekonomik të Shqipërisë.
“Ne presim që projekti do të zvogëlojë ndjeshëm gjurmën mjedisore të transportit në rajon, në përputhje me qëllimet e Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së”, tha ambasadori i BE-së Silvio Gonzato./ (29 korrik)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.