Në oborrin e një shtëpie të vjetër në Torovicë të Lezhës, pranë hardhive të rrushit janë vendosur 80 koshere bletësh. Rreth tyre ndihet vetëm tingulli i heshtjes. Në shkurt, kur temperaturat janë ende të ulëta, bletët mezi vihen re. Më pas, në fillim të pranverës, kur lulëzojnë lulet, qindra mijëra bletë largohen nga kosheret e tyre dhe mund të shihen duke fluturuar nga lulet e qershisë deri tek ato të sherbelës apo gështenjat e lulëzuara. Lëndinat aty pranë, livadhet e vjetra dhe kodrat që rrethojnë fshatin, bëhen Kopshti i Edenit për bletët, duke u mundësuar atyre të luajnë rolin e paçmuar që kanë në biodiversitet duke transferuar kokrrat e polenit e duke ndihmuar në fekondimin dhe prodhimin e farave.

Para disa vitesh, ky cikël i jashtëzakonshëm i jetës pothuajse u ndal, pasi bletët u infektuan me american foulbrood (AFB), një sëmundje bakteriale e vezëve. “Kisha vetëm tre muaj që punoja me bletët dhe më thanë t’i digjja, përndryshe do të infektonin të tjerat, duke dobësuar dhe vrarë kolonitë e bletëve”, thotë Rinaldo Gjolaj, një bletërritës i ri që ka themeluar “Bletët Alpine”.

Atëherë, ai ishte vetëm 22 vjeç, kishte lënë universitetin për të rritur bletë dhe papritur jeta e tij u përmbys. “Për një javë të tërë nuk munda të bëja gjë tjetër veçse të qaja. Më pas u kujtova se kam qenë sportist dhe e sfidoja veten në çdo kampionat, kështu që e kuptova se e vetmja mënyrë për të fituar është të ngrihesh në këmbë pas çdo rënieje”, shton ai.

“Nuk është se nuk guxojmë pasi gjërat janë të vështira, por gjërat janë të vështira sepse nuk guxojmë”. Ky citim i Senekës ka qenë motiv kryesor për Gjolajn pasi humbi 50 koshere bletësh nga sëmundja infektive. Ai arriti të blinte koshere të tjera bletësh, duke përballuar sfidën që do të sillte një tjetër sëmundje infektive e papritur apo parazitët, deri dy vite më parë, kur mësoi për kosheret e reja që kanë një aparat monitorimi që parandalon rreziqet. Pikërisht atëherë e kuptoi se frika e tij do të merrte fund.

Aplikoi për financim në projektin “BE për novacionin”, duke blerë 30 pajisje për kosheret e tij.

“Ato kanë sensorë që i monitorojnë bletët pa i hapur kosheret. Nëpërmjet tingujve që lëshon mbretëresha mund të kuptojmë gjendjen brenda kosheres. Pajisjet e monitorimit i përkthejnë tingujt në informacion për ne. Mund të kuptojmë nëse bletët janë të stresuara, nëse kanë ushqim të mjaftueshëm, nëse janë të infektuara, nëse vetë mbretëresha është dëmtuar apo nëse ventilimi funksionon. Falë fondit të BE-së për novacionin, tashmë mësoj në kohë reale në telefonin tim se çfarë po ndodh në koshere”, shpjegon Gjolaj.

“Dëgjimi i zërit” të mbretëreshës duket se nuk ka qenë kurrë më thelbësor për ciklin e jetës. Bletët kanë një rol jetësor pasi 4 nga 5 lule dhe kultura të egra kanë nevojë për pjalmimin e kafshëve, të paktën deri në njëfarë mase, dhe ushqimi dhe shëndeti ynë varen nga kjo. Kjo është arsyeja pse përkthimi i gjuhës së bletëve ndihmon për të mbrojtur botën tonë.

Në kuadër të “Fushatës së Gjelbër”, në parkun “Bletët Alpine” në Torovicë, u organizua një shëtitje nga “Shtëpia e Evropës”, së bashku me H.A.N.A., një organizatë rinore në Lezhë. Dhjetëra të rinj ndoqën historinë e Gjolajt drejt suksesit dhe rëndësisë së sipërmarrjeve për zhvillimin e zonës.

Në fëmijëri atij i pëlqente shija e mjaltit. Kështu nisi gjithçka, – u thotë Gjolaj të rinjve, – pastaj duhet të ndjekësh ëndrrën.

“Bleta Alpine” prodhon mjaltë, polen, propolis dhe qumësht blete ose pelte mbretërore. Në muajt në vijim, Gjolaj do të organizojë grupe apiterapie, të cilat ndihmojnë njerëzit që vuajnë nga astma, duke i shtuar shoqërisë një përfitim tjetër nga bletët./ (12 gusht)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.