Në më pak se 10 muaj, programi EU4Schools dhe UNDP bënë të mundur që 750 nxënës të shkollës “14 Nëntori” në Durrës dhe 50 fëmijë të kopshtit të nisin mësimin në ambiente të reja moderne si në vendet anëtare të BE-së.
Programi EU4Schools ka në fokus rindërtimin e mjediseve shkollore pas tërmetit të fuqishëm të nëntorit 2019 në Shqipëri, ku Durrësi ishte ndër zonat më të prekura.
Shkolla e rindërtuar u vizitua nga autoritetet e Arsimit dhe Pushtetit Lokal, ku të pranishëm ishin edhe koordinatorja e Përhershme e OKB-së Fiona McCluney, përfaqësuesja e Përhershme e PNUD-it Monica Merino.
Me 32 klasa tërësisht të reja, kjo shkollë ofron një mjedis të shkëlqyer mësimor. Tani shkolla ka një palestër të mbyllur, një sallë multifunksionale, një bibliotekë, 4 laboratorë të specializuar (IT, Fizikë, Biologji, Kimi) për mësimin praktik, si dhe një dhomë burimore për mbështetjen e nxënësve me aftësi të veçanta.
“BE-ja është e përkushtuar të kontribuojë në edukimin e të rinjve shqiptarë, qytetarëve të ardhshëm të BE-së,” tha Hubert Perr, shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri.
Programi i financuar nga Bashkimi Europian dhe i zbatuar nga qeveria shqiptare bashkë me UNDP ka ndihmuar në rikonstruksionin e 63 objekteve arsimore të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, në 11 bashki të ndryshme duke ndikuar në përmirësimin e infrastrukturës arsimore për 1 milion banorë që jetojnë në këto zona. (25 shtator)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.