Bashkëpunimi ndërparlamentar dhe ndërinstitucional është thelbësor në procesin e avancimit të Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian.

Në Shqipëri, kryetarja e Kuvendit thirri në takim drejtuesit e institucioneve të pavarura të vendit, përfshirë ato të Drejtësisë për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit me synim përparimin e reformave që kanë të bëjnë edhe me integrimin në BE.

I pranishëm në takim, ambasadori i BE në Tiranë Silvio Gonzato tha se negociatat do të konsistojnë në reforma thelbësore që do të sjellin Shqipërinë në standardet europiane në fusha të tilla si administrata publike, statistikat, prokurimet publike dhe kontrolli financiar.

Ai nënvizoi rëndësinë e Parlamentit dhe të institucioneve të pavarura në kontekstin e hyrjes në BE.

“Shqipëria ka hyrë në një fazë kritike në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe aktualisht janë duke punuar shumë shpejt për të hapur negociatat për klasterat thelbësore që kanë të bëjnë me funksionimin e institucioneve demokratike gjyqësore, lirinë sigurinë dhe fusha të tjera thelbësore, të cilat janë pjesë e shtyllës kurrizore të të gjithë strukturës, si reforma në administratën publike, statistikat, prokurimet publike dhe kontrolli financiar”, tha Gonzato.

Ai tha se në Parlament integrimi europian duhet të konsiderohet nga të gjitha forcat politike si një prioritet kombëtar strategjik, së pari për Shqipërinë dhe qytetarët e saj. Nga ana tjetër, tha ai marrëdhëniet ndërinstitucionale duhet të jenë në respekt të plotë të Kushtetutës që ka të bëjë me kontrollin dhe balancën.

Për Reformën në Drejtësi, sipas Gonzatos, Parlamenti mund të luajë një rol kyç për moskthimin pas të  reformave për të konsoliduar më tej implementimin në harmoni me të gjithë detyrimet që Shqipëria ka në rrugën drejt BE-së. Dhe këto reforma, shtoi ai, shoqërohen dhe plotësohen nga përpjekjet për të parandaluar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në qeveri. (27 shtator)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.