Shqipëria ka një përmirësim me +11% nga viti 2019, i cili ka qenë viti më i mirë për sa i përket hyrjes së vizitorëve të huaj në Shqipëri.

Media si CNN Travel, “20 Minutes”, “The Independent” apo “Condé Nast Traveller”, i kanë kushtuar reportazhe promovuese Shqipërisë turistike duke e cilësuar si një nga sekretet e ruajtura më mirë të Evropës.

“20 Minutes” e rendit Shqipërinë mes pes[ vendeve më të bukura që nuk duhen humbur gjatë muajit shtator, kur temperaturat janë të favorshme, kuzhina është e shijshme, vala e madhe turistike ka kaluar dhe çmimet janë ulur. Shqipëria renditet në artikull si destinacioni i parë i preferuar, krahas Stambollit, Hieres, Algraves dhe Kalabrisë.

100 mijë vizitorë amerikanë kanë ardhur në Shqipëri në muajt janar-gusht ose 28 mijë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar./ (26 shtator 2022)

Të ardhurat nga turizmi 1,13 miliardë euro për gjashtë muajt e parë të 2022

Fluksi i prurjeve nga turistët e huaj në Shqipëri ka shënuar shifra rritjeje duke regjistruar vitin më të mirë historik të turizmit.

Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, shpenzimet e të huajve në Shqipëri në gjashtë muajt e parë të vitit arritën në 1,13 miliardë euro, me një rritje prej 64% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjatë kësaj periudhe në vendin tonë u rritën edhe prurjet valutore të të huajve që shënuan rritje me 32%.

Që në tremujorin e parë të vitit, shpenzimet e të huajve në Shqipëri e tejkaluan me 17% nivelin e 2019-s, ndërsa në të dytin zgjerimi ishte dhe më i fortë me bazë vjetore, me 43%. Tendenca pritet të vijojë, pasi të dhënat e institutit shqiptar të statistikave, INSTAT, tregojnë se hyrjet e të huajve kanë kulmuar në muajt e verës./ (23 shtator 2022)

Mbi dy milionë vizitorë në gjashtë muajt e parë të 2022

Në gjashtë muajt e parë të vitit në Shqipëri hynë rreth 2,5 milionë shtetas të huaj, me rritje 16,4% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 4,5 herë dhe Greqia me tri herë, ndërsa Zvicra ka pasur rritjen më të ulët me 4,2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Sipas INSTAT-it, vetëm në korrik, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1 403 333. Ky numër është rritur me 21,1 %, krahasuar me korrikun e 2021-shit. Nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 3,8 herë dhe Italia me 48%, krahasuar me muajin korrik 2021.

Referuar të dhënave të INSTAT-it, nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit korrik 2022 kanë dalë 1 869 366 shtetas të huaj dhe shqiptarë duke shënuar një rritje me 28,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i shtetasve shqiptarë që kanë dalë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit korrik është 555 978. Krahasuar me korrikun e 2021-shit, ky numër është rritur me 16,8%.

Ndërsa numri i shtetasve të huaj që kanë dalë nga territori i Shqipërisë është 1 313 388 ose 33,5% më shumë se korrikun e vitit 2021./ (21 shtator 2022)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.