Brukseli (ANSA) – Kriza në Lindjen e Mesme është temë kryesore në Këshillin e Punëve të Jashtme në Luksemburg, mes ndarjeve dhe kompromiseve të vështira për të afruar pozicionet e 27. BE-ja arriti të gjejë fjalët për të dënuar me një zë të vetëm sulmet e Izraelit ndaj kontingjentit Unifil – “na u desh shumë kohë për një gjë të vetëkuptueshme”, është keqardhja e përfaqësuesit të lartë Josep Borrell – por në pjesën tjetër mbetet e pavendosur. Për çështjen e një embargoje të mundshme në furnizimet e armëve, e propozuar nga Emmanuel Macron dhe Pedro Sanchez.
“Mund të përmendim vende të tjera anëtare që ndodhen në situatën e kundërt dhe kërkojnë një furnizim më të madh të armëve për Izraelin”, vë në dukje Borrelli. E vërteta është se bëhet fjalë për një “kompetencë kombëtare” dhe për të ndryshuar gjërat do të duhej një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ose një vendim unanim i 27. Pozicioni i Italisë shpjegohet nga ministri Antonio Tajani, në Berlin për samitin për Ballkanin.
“Që nga 7 tetori i vitit të kaluar – tha ai – ne kemi bllokuar të gjitha kontratat që kanë të bëjnë me shitjen e armëve Izraelit, siç parashikohet me ligj; nëse më pas përdorin armë të shitura në të kaluarën nuk e di”. Sa i përket Unifil, BE-ja i ka cilësuar “shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare” sulmet e ditëve të fundit dhe ka kërkuar “shpjegime të menjëhershme” nga Tel Avivi.
Ministrat e Jashtëm të Italisë, Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe sot kanë ritheksuar “shqetësimin e thellë” në një notë të përbashkët dhe kanë kërkuar që sulmet të “ndërpriten menjëherë” (14 tetor).