“303” titullohet filmi i mbështetur nga Bashkimi Evropian që u shfaq premierë në Tiranë si një kujtesë e fuqishme që tregon vuajtjen e atyre që i mbijetuan përvojës çnjerëzore të burgut të Spaçit dhe nxjerr në pah rëndësinë e kujtimit të së shkuarës në Shqipëri.
Ky film dokumentar, sipas delegacionit të BE në Tiranë është edhe një arsye e fuqishme përse duhet të vijohet me mbështetjen e të treguarit të historive të njerëzve që vuajtën gjatë regjimit komunist në Shqipëri.
Me skenar dhe regji nga Gentian Doda dhe Lorin Terezi, filmi 303 u financua nga Bashkimi Evropian nëpërmjet programit EU4Culture. Ky projekt është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të mbështetur Shqipërinë të përballet me të kaluarën e saj, të mbajë gjallë historitë e të mbijetuarve dhe të adresojë thirrjen e tyre për drejtësi.
Ndërkaq, kreu i delegacionit të BE në Tiranë, Silvio Gonzato pati një takim me 4 burra që vuajtën në këtë burg.
“I prekur thellë nga historitë e katër burrave guximtarë që i mbijetuan mizorive në burgun famëkeq të Spaçit në Shqipërinë komuniste: Zenel Drangu, Agron Hoxha, Bedri Blloshmi dhe Banush Cuka”, u shpreh Gonzato.
“Historitë e tyre të sakrificës, qëndrueshmërisë dhe shpresës janë një mësim i fuqishëm për brezat e rinj, duke na kujtuar pse duhet të sigurohemi që historia të mos përsëritet kurrë.
Zërat e tyre, së bashku me ato të qindra të mbijetuarve të tjerë, meritojnë të dëgjohen dhe të mbështeten në përpjekjet e tyre për drejtësi”, u shpreh Gonzato. (21 tetor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.