Paris – Emmanuel Macron reagoi të hënën pas fitores së “po”-së në referendumin për anëtarësimin në BE të organizuar në Moldavi, duke siguruar këtë vend për “mbështetjen” e Francës në realizimin e “fatit të saj europian”.
“Manovrat e dezinformimit nuk e kanë lëkundur vendosmërinë e moldavëve, të cilëve dëshira për t’u bashkuar me familjen europiane u tregua më e fortë”, shkroi presidenti francez në X.
Presidentja në detyrë “Maia Sandu mishëron këtë vullnet. Moldavia mund të mbështetet tek ne për të realizuar fatin e saj europian”, shtoi ai, pas këtij referendumi të fituar me ngushtësi nga kampi i “po”-së.
Zonja Sandu kishte kritikuar “ndërhyrjet” në votim, me Moskën në shënjestër.
Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen përshëndeti rezultatin e votës.
“Përballë strategjive hibride të Rusisë, Moldavia tregon se është e pavarur, se është e fortë dhe se dëshiron një të ardhme europiane”, shkroi Ursula von der Leyen në rrjetin social X. (21 tetor 2024)